Shqipëria rezulton vendi me raportin më të favorshëm mes përfitimeve sociale dhe kostove të investimeve të reja në transport, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raporti i eficiencës për Shqipërinë llogaritet në 2.22, mbi 1.78 në Serbi, 0.89 në Mal të Zi dhe 0.77 në Bosnjë-Hercegovinë, sipas raportit të Bankës Botërore.
Treguesi sugjeron se Shqipëria ka ende hapësirë ekonomikisht të justifikuar për investime shtesë në infrastrukturën e transportit. Banka Botërore e ndërton raportin e eficiencës duke krahasuar normën sociale të kthimit të investimit me koston e sigurimit të financimit, ku përfshihen norma e huamarrjes dhe amortizimi i kapitalit. Një raport mbi 1 nënkupton se përfitimet potenciale të investimit kalojnë kostot sipas kushteve aktuale të tregut dhe, për rrjedhojë, investimet shtesë kalojnë pragun bazë kosto-përfitim.
Në rastin e Shqipërisë, norma sociale e kthimit për transportin vlerësohet në 0.33, kundrejt 0.22 për Serbinë dhe 0.14 si për Malin e Zi, ashtu edhe për Bosnjë-Hercegovinën. Kjo normë synon të masë jo vetëm kthimin e drejtpërdrejtë të kapitalit të investuar, por edhe përfitimet më të gjera ekonomike që infrastruktura krijon për ekonominë. Banka Botërore e përkufizon normën sociale të kthimit si kthimin nga kapitali infrastrukturor që përfshin si përfitimin privat, ashtu edhe efektet e jashtme ekonomike.
Diferenca me vendet e tjera të rajonit është veçanërisht e dukshme për Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Me një raport eficience respektivisht 0.89 dhe 0.77, të dy vendet ndodhen nën pragun 1 që modeli i Bankës Botërore përdor për të vlerësuar nëse përfitimet potenciale të investimit tejkalojnë kostot. Serbia, me 1.78, mbetet mbi këtë prag, por përsëri poshtë Shqipërisë me 2.22.
Megjithatë, avantazhi i Shqipërisë brenda Ballkanit Perëndimor nuk e vendos vendin mbi mesataren e gjithë Evropës dhe Azisë Qendrore. Për këtë rajon, Banka Botërore llogarit një raport mesatar të eficiencës në transport prej 2.29, kundrejt 2.22 për Shqipërinë, ndërsa norma mesatare sociale e kthimit është 0.30, krahasuar me 0.33 në Shqipëri.
Banka Botërore vëren se kthimet nga infrastruktura e transportit priren të jenë më të larta në ekonomitë në zhvillim, ku rrjetet ekzistuese janë më të kufizuara dhe një investim shtesë mund të sjellë një efekt më të madh ekonomik. Në të kundërt, vendet më të zhvilluara, që kanë akumuluar tashmë stoqe të mëdha infrastrukture, priren të kenë kthime potenciale më të ulëta nga ndërtimi i kapaciteteve të reja.
Sipas analizës së raportit, diferencat e mëdha mes vendeve në raportet e eficiencës nuk shpjegohen kryesisht nga kostoja e huamarrjes. Rreth 93% e variacionit të raportit të eficiencës në transport lidhet me raportin mes kapitalit infrastrukturor dhe prodhimit, ndërsa vetëm 7% me koston e financimit. Brenda komponentit të kapitalit, 71% e diferencave lidhen me sasitë fizike të infrastrukturës dhe 29% me kostot. Kjo nënkupton se niveli i infrastrukturës që një vend ka akumuluar tashmë është përcaktues i rëndësishëm për kthimin potencial të investimit të ardhshëm, përfundon raporti./ekofin.al

