Banka Botërore ka rishikuar për lart projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë në raportin më të fundit të perspektivës ekonomike globale.
Kështu, rritja ekonomike për vitin 2024 në vlerësimin e fundit të BB është 3.7%, e rishikuar me 0.4% më shumë se vlerësimi i fundit i qershorit. Gjithashtu, Banka Botërore parashikon se rritja reale e PBB-së për Shqipërinë në vitin 2025 do të jetë 3.5%, ose 0.1% më shumë se vlerësimi i qershorit. Ndërsa për vitin 2026, BB parashikon që rritja të jetë 3.3 %, ose -0.2% se vlerësimi i qershorit 2024.
Sipas raportit, Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore vazhdon të përballet me sfida të ndryshme të jashtme. Kërkesa e dobët nga partnerët kryesorë tregtarë, veçanërisht në Bashkimin Evropian, ka penguar rimëkëmbjen e eksporteve në Evropën Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor, ku ekonomitë mbeten të integruara shumë në zinxhirët evropianë të furnizimit të automobilave.
Megjithatë, thekson raporti, aktiviteti i turizmit – që tani ka tejkaluar nivelet para pandemisë – vazhdon të mbështesë rritjen në këto nënrajone, veçanërisht duke sjellë përfitime për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Inflacioni pritet të bjerë gradualisht, mbështetur nga moderimi i çmimeve të mallrave dhe lehtësimi i presioneve në tregun e punës.
Nga ana tjetër, aktiviteti në Ballkanin Perëndimor parashikohet të përshpejtohet në 3.7 përqind në 2025 dhe 3.9 përqind në 2026. Konsumi dhe investimet private pritet të luajnë një rol të madh, veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Në të njëjtën kohë, rritja e ngadaltë e eurozonës pritet të ofrojë vetëm mbështetje të kufizuar për eksportet. Plani i Rritjes i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor mund të dyfishojë madhësinë e ekonomisë së rajonit brenda një dekade, duke mbështetur anëtarësimin në BE dhe duke rritur financimin e infrastrukturës dhe integrimin e tregut përmes iniciativës së zonës së vetme të pagesave në euro.
Sipas të dhënave të fundit, të bëra publike nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ekonomia e Shqipërisë ka regjistruar një rritje prej 3.96% gjatë vitit 2024, krahasuar me vitin 2023. Rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2024 ishte 3.63%, në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit 2023. Rezulton që në tremujorin e fundit të vitit, rritja ekonomike të jetë ngadalësuar nga 4.09% që ishte në tremujorin e tretë. /ekofin.al