Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Komisioni Europian, në raportin vjetor të vitit 2022 vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik.
Balluku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare, organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e 26 vendeve “Prokurimet e hapura dhe të qëndrueshme në Europë”.
“Organizmi i kësaj konference është një vlerësim i rëndësishëm i reformave të qeverisë shqiptare, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të prokurimeve të hapura dhe të qëndrueshme. Sipas raportit vjetor të vitit 2022 të Komisionit Europian, Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik. Zhvillimin dhe implementimin të kurseve të trajnimit me certifikim për prokurimin publik. Publikimit të raportit të parë të monitorimit për strategjinë e prokurimit publik dhe vendosjen e të dhënave të hapura, Open Data, në kohë reale për procedurat e prokurimit dhe përfshirjen e risqeve të korrupsionit të lidhura me prokurimin në planet e integritetit të institucioneve’’, tha ajo.
Balluku shtoi se ky vlerësim bëhet edhe më domethënës në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur po zhvillohen negociatat me Bashkimin Europian.
Zëvendëskryeministrja Balluku foli për shembuj pozitiv në ekonominë shqiptare që reflektojnë këtë progres, ndërsa u ndal në disa procedura, që sipas saj, tregojnë ecurinë dhe avancimin se si sistemi i prokurimeve ashtu edhe klima e biznesit ka pësuar në Shqipëri në vitet e fundit.
