Konglomerati shqiptar Balfin Group, i specializuar në tregtinë me pakicë dhe pasuri të paluajtshme, po planifikon të zgjerojë portofolin e projekteve të tij imobiliare në Austri deri në 200 milionë euro deri në fund të vitit, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Balfin Austria, Alban Caslli, për agjencinë SeeNews.
“Synojmë të rrisim portofolin tonë në Austri në intervalin 150 – 200 milionë euro, me fokus të vazhdueshëm në qytete kyçe si Vjena, Linz dhe Salzburgu, si dhe në zona turistike me atraksione natyrore,” u shpreh Caslli në një intervistë për SeeNews.
Aktualisht, Balfin Austria menaxhon asete me vlerë mbi 100 milionë euro, përfshirë tre njësi banimi urbane në Vjenë dhe tre rezidenca premium për pushime në qytetin buzë liqenit Gmunden.
Në afatmesëm, kompania planifikon të zgjerojë më tej portofolin në Austri me 100 milionë euro shtesë gjatë pesë viteve të ardhshme, shtoi Caslli.
“Kjo përfshin blerje strategjike në sektorin e pronave komerciale dhe me përdorim të përzier, me një theks të fortë te qëndrueshmëria, inovacioni dhe diversifikimi i klasave të aseteve, të cilat sigurojnë vlerë afatgjatë,” theksoi ai.
Sipas tij, zgjedhja e lokacioneve udhëhiqet nga dinamikat e tregut dhe potenciali për rritje afatgjatë.
“Në zona urbane si Vjena, fokusohemi në lagje në zhvillim apo të rilindura, që ofrojnë infrastrukturë të zhvilluar, lidhje të shkëlqyera transporti dhe kërkesë në rritje për banesa, faktorë kyç për banorët vendas dhe ndërkombëtarë. Këto projekte synojnë ofrimin e banesave moderne dhe cilësore. Ndërsa për zhvillimet buzë liqeneve, përzgjedhim destinacione piktoreske që tërheqin blerës të tregut premium, në kërkim të shtëpive të dyta, me qetësi, privatësi dhe akses të lehtë në qendrat urbane.”
Kjo strategji dyfishimi tregjesh i mundëson Balfin-it të diversifikojë portofolin dhe njëkohësisht të përmbushë preferencat e një spektri të gjerë blerësish.
“Austria ofron një kombinim unik të qëndrueshmërisë ekonomike, transparencës ligjore dhe një mjedisi të favorshëm për biznesin, elementë thelbësorë për investime të qëndrueshme në pasuri të paluajtshme,” vuri në dukje Caslli.
Përveç projekteve rezidenciale dhe të mikpritjes, Balfin Austria po eksploron mundësi edhe në sektorin e argëtimit në Austri.
“Jemi duke shqyrtuar futjen e koncepteve të reja për argëtim familjar dhe qendra të kohës së lirë, duke u mbështetur në përvojën tonë me HyperActive, një qendër argëtimi për familjet në Kosovë,” përfundoi Caslli. Në mars, Balfin Group bleu “HyperActive” nga kompania e Kosovës “Fundway”. /Përshtati nga seenews, ekofin.al


