Një vit e gjysmë pas zbulimit të abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian IPARD për bujqësinë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, miraton rregulla më të forta të funksionimit të saj, në një tentativë për t’u reformuar. Udhëzimi i firmosur nga ministrja e bujqësisë Anila Denaj, i botuar në fletore zyrtare detajon regullat për organizimin, menaxhimin, kompetencat si dhe ndarjen e detyrave funksionale të përgjithshme dhe të veçanta të çdo drejtorie dhe sektori.
Punësimi në Azhbr për punonjësit sipas ligjit të shërbimit civil kryhet nga Departamenti i Administratës Publike, ndërsa për punonjësit me Kod Pune rekrutimi kryhet përmes Komisionit të Përzgjedhjes në AZHBR.
Drejtori i përgjithshëm ka të drejtë të emërojë punonjës pa konkurrim vetëm në pozicionet: “sekretar”, “specialistë me arsim të mesëm”, “punonjës të përkohshëm”, “punëtorë”. Por, sipas udhëzimit, ai mund të kontraktojë edhe këshilltarë të jashtëm, të cilët sërish duhet të respektojnë rregullat dhe normat e etikës së institucionit.
Dokumenti parashikon gjithashtu disa kufizime të veprimtarive jashtë punës. Në fokus është sektori i auditimit të brendshëm, që në fakt rezulton edhe si një nga hallkat që ka dështuar në rastet e abuzimeve me fondet e BE-së. Punonjësve të sektorit të auditimit të brendshëm u ndalohet të përfshihen në kryerjen e funksioneve dhe veprimtarive të tjera të njësisë publike, përveç veprimtarisë audituese, të mbajnë një mandat politik apo të jenë zgjedhur në funksione drejtuese në strukturat e partive politike, të ushtrojnë çdo veprimtari ose punë tjetër me pagesë apo të kenë përfitime të tjera të natyrave dhe formave, që krijojnë gjendje konflikti interesash me ushtrimin e auditimit, me përjashtim të mësimdhënies dhe publikimit, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil.
Udhëzimi përcakton me hollësi masat disiplinore për punonjësit të ndarë sipas kategorive të punësimit. Për punonjësit me shërbim civil, masat parashikohen në ligjin e posaçëm. Gjithashtu, specifikohen edhe dispozitat e Kodit të Punës për masat e punonjësve që janë jashtë shërbimit civil.
Gjithashtu, çdo nëpunës apo punonjës i cili merr në dorëzim kërkesa apo aplikime, praktika, nga individë në mënyrë të paautorizuar dhe të paprotokolluar me kartelë shoqëruese, ngarkohet me përgjegjësi disiplinore, sipas legjislacionit në fuqi. AZHBR synon që përmes këtyre masave të brendshme të përmirësojë imazhin e Agjencisë, i goditur pas rasteve të abuzimeve të gjetura edhe nga investigimet e strukturës së BE-së kundër mashtrimit OLAF. /ekofin.al

