Mbi 40 mijë individë nuk kanë deklaruar detyrimin tatimor (DIVA) për vitin 2024, kryesisht për shkak të mungesës së dijenisë mbi këtë detyrim.
Raporti i Avokatit të Tatimpaguesit 2025 thekson se kjo kategori konsiderohet më vulnerabël për shkak të nivelit më të ulët të njohjes dhe kuptimit të legjislacionit tatimor, ndonëse Administrata Tatimore ka intensifikuar fushatat informuese. Avokati i Tatimpaguesit vlerëson se njoftimi paraprak individual do të ishte forma më efikase për garantimin e përmbushjes së këtij detyrimi.
Raporti evidenton gjithashtu penalitete automatike të vendosura ndaj individëve për shkak të gabimeve njerëzore gjatë përdorimit të sistemit elektronik. Në disa raste, tatimpaguesit janë penalizuar vetëm pse kanë klikuar gabimisht një vit të ndryshëm apo kanë hyrë për të verifikuar nëse janë subjekt i deklarimit. Sipas raportit, këto penalitete janë të padrejta dhe joproporcionale, pasi nuk parashikohen si shkelje në legjislacionin tatimor, ndërsa vetë sistemi nuk paralajmëron për pasojat dhe nuk parandalon gjenerimin e tyre.
Avokati ngre shqetësimin edhe mbi ankesat për mosmarrjen e njoftimit për vlerësimin tatimor, duke cenuar të drejtën e tatimpaguesve për të ushtruar ankim administrativ, sipas parashikimeve ligjore.
Po ashtu, raporti tërheq vëmendjen mbi zbatimin e masave shtrënguese ndaj individëve me detyrime të papaguara. Në disa raste, bankat kanë bllokuar të gjithë pagën mujore të tatimpaguesve, duke marrë shumën e plotë të detyrimit, në kundërshtim me parimin e garantimit të minimumit jetik, siç përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile.
Avokati i Tatimpaguesit rekomandon forcimin e informimit dhe asistencës për individët që kanë detyrimin për deklarimin e të ardhurave vjetore (DIVA), duke kërkuar identifikimin dhe njoftimin paraprak të tatimpaguesve, veçanërisht për kategoritë më vulnerabël, me qëllim shmangien e penaliteteve të panevojshme dhe përmirësimin e marrëdhënies me Administratën Tatimore.
Gjithashtu, rekomandohet përshtatja e sistemit elektronik për të parandaluar penalitetet që vijnë nga gabime njerëzore, përmes paralajmërimeve automatike ose kufizimit të veprimeve që sjellin pasoja penalizuese.
Në të njëjtën kohë, kërkohet përcaktimi i rregullave të qarta, edhe me akte nënligjore, për zbatimin e masave shtrënguese, në mënyrë që gjatë bllokimit të llogarive bankare të garantohet një kufi minimal jetik për individët tatimpagues. /ekofin.al
