Seksioni për Policinë, Shërbimin sekret, Burgjet, Forcat e Armatosura dhe Pushtetin gjyqësor pranë Avokatit të Popullit, gjatë vitit 2024 ka trajtuar 470 raste (ankesat dhe rastet me iniciativë) për të cilat është përfunduar hetimi administrativ dhe provuar se ankesat e shtetasve kanë qenë të bazuara.
Ankesat sipas fushave të veprimtarisë së këtij sektori dominohen nga ato për burgjet me 151; për policinë me 88; për prokurorinë 75 dhe gjyqësori 146. Kërkesat nga ish-të dënuar dhe përndjekur politikë janë 10, ndërkohë sektori ka trajtuar 5,800 raste ankesash/kërkesash sa i takon ndihmës juridike falas, këshillime dhe orientime mbi rrugët ligjore që duhet të ndjekin subjektet.
Për këtë qëllim janë përgatitur 37 rekomandime, të cilat u janë drejtuar 58 organeve ligjzbatuese të administratës publike, me një total prej 77 nënrekomandime për t’u zbatuar nga ana e tyre.
Ankesat e personave të privuar nga liria
Vëmendja kryesore e punës ka qenë mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të personave të privuar nga liria. Disa nga shqetësimet apo ankesat e adresuara prej tyre kanë të bëjnë me trajtimin jo të duhur shëndetësor, transferime të padrejta të të dënuarve nga një IEVP në një tjetër, refuzim të kërkesës për t’u transferuar në një IEVP më afër vendbanimit të familjes, refuzim i kërkesës për të përfituar nga ligji nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”, kufizimi për të marrë pako postare nga familjarët, kushtet e shoqërimit të të burgosurve me automjetet e policisë së burgjeve, të drejtën për t’u informuar, mosarsyetimi i vendimeve të gjykatës, etj.
Ankesat ndaj Policisë së Shtetit
Sipas raportit, Avokati i Popullit me iniciativë ka administruar ankesat nga punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndër rastet e shumta janë evidentuar mosmbajtja dhe mosdhënia e procesverbaleve për veprimet e kryera nga punonjësit e policisë, për shoqërime të paligjshme apo mbajtje në gjendje shoqërimi tej afatit ligjor, për arrestime apo ndalime të paligjshme, për mospasqyrimin në procesverbalin e arrestimit në flagrancë të orës faktike të personave të shoqëruar si të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
Gjithashtu qytetarët janë ankuar për keqtrajtime fizike ose psikologjike gjatë shoqërimit apo gjatë marrjes në pyetje të shtetasve në organet e policisë, për mosnjoftimin nga policia të familjarëve të të shoqëruarve apo moslejimin e tyre të komunikojnë vetë me ta me telefonat e tyre, për sjellje pa etikë të punonjësve të policisë gjatë komunikimit, për kushte të papërshtatshme të ambienteve të shoqërimit, për mos marrje, mosadministrim ose mosndjekje të kallëzimeve apo ankesave të bëra prej tyre, për cënimin e lirisë së lëvizjes jashtë shtetit, për cenimin e lirisë sindikale, për mossigurimin e pranisë së psikologut gjatë kryerjes së veprimeve procedurale me të miturit, për vendosje të masave administrative të kundërligjshme nga punonjësit e Policisë Rrugore ose për mosnjoftimin e këtyre masave konform dispozitave të Kodit Rrugor etj.
Ankesat ndaj sistemit gjyqësor
Gjyqësori vijon të ketë një rritje të dukshme të ankesave nga qytetarët, ku dominojnë ankesat për moszbardhjen e vendimeve në kohë apo mosrespektimin e standardeve të gjykimit të drejtë: ekzekutimin e vendimeve të gjykatave kombëtare, si dhe vonesa dhe/ose mungesa e publikimit të vendimeve). Ndërsa në fushën penale, vonesat në procedura gjyqësore kanë cenuar në mënyrë të hapur të drejtën e shtetasve të dënuar apo të paraburgosur, për përfitimin e tyre nga ligji nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”.
Si pasojë e ngarkesës së gjyqtarëve me çështje, si dhe mungesës së gjyqtarëve të larguar nga reforma në drejtësi, janë konstatuar në jo pak raste vonesa shumë të gjata në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, duke shkelur të drejtën e të burgosurve për të marrë drejtësi në kohë, qëndrim pa afat në paraburgim (pasi vendimi nuk ka marrë formë të prerë, për arsye se nuk është zbardhur vendimi i arsyetuar), si dhe vonesa në ushtrimin e të drejtës së ankimit ose të rekursit në Gjykatën e Lartë.
Ankesat ndaj prokurorisë
Sipas të dhënave, ankesat ndaj organit të prokurorisë lidhen me zvarritjen e pajustifikuar e hetimit në procedimet penale e cila ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor, mosdhënia e informacionit si dhe refuzimi për t’u njohur me aktet e fashikullit të hetimit palëve në procesin penal, duke cenuar të drejtën për informim si dhe barazinë e armëve në një proces të rregullt ligjor.
Po kështu është konstatuar e shkelje e afateve dhe procedurave në ekzekutimin e vendimeve penale duke cenuar të drejtat dhe liritë e personave të dënuar, mosregjistrim në regjistrin e procedimeve penale të emrit të personit ndaj të cilit ngrihet akuza sipas kallëzimit penal të regjistruar, duke cenuar respektimin e afateve të hetimit, si dhe afatet e arsyeshme për një proces të rregullt ligjor, etj.
Lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të ish të dënuarve dhe përndjekurve të regjimit komunist, janë adresuar rekomandime institucioneve shtetërore, për problematika të cilat nuk kanë gjetur zbatim, për shkak të fondeve të pamjaftueshme në dispozicion. /ekofin.al

