Problematika e furnizmit me ujë të pijshëm është një nga shqetësimet e ngritura në raportin e Avokatit të Popullit.
Sipas të dhënave të raportit vjetor 2025, ka pasur problematika të vazhdueshme në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve dhe energjisë elektrike gjatë vitit 2025. Raporti thekson se qytetarët po përballen ende me mbifaturime, faturim afrofe, ndërprerje të pajustifikuara të shërbimeve dhe mungesë transparence nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 76 çështje në këtë nënfushë, nga të cilat 46 lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm dhe 30 me energjinë elektrike. Hetimet administrative të kryera nga institucioni kanë treguar se operatorët shpërndarës, kryesisht Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU sh.a.) dhe shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime sh.a., nuk kanë respektuar në mënyrë sistematike standardet procedurale dhe nuk kanë zbatuar plotësisht dispozitat mbrojtëse për kategoritë vulnerabël, si familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët.
Raporti nënvizon se ndër shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve kanë qenë keqadministrimi i matësave, faturimet e pasakta, mungesa e përgjigjeve brenda afateve ligjore dhe ndërprerjet pa argumentim të shërbimeve bazë.
Për sektorin e energjisë elektrike, Avokati i Popullit i ka rekomanduar FSHU-së fshirjen e detyrimeve të pabazuara, korrigjimin e faturimeve të pasakta, evidentimin e përgjegjësive institucionale dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm. Ndërsa për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve janë kërkuar projekte konkrete për zgjerimin e rrjeteve dhe investime në infrastrukturën bazike, së bashku me koordinim më të fortë ndërinstitucional.
Raporti përmend edhe disa raste konkrete problematike në nivel vendor. Për Bashkinë Lezhë janë adresuar rekomandime për zbatimin e projektit të mbulimit me rrjet kanalizimesh në zonat e zgjerimit të qytetit, por rekomandimi është refuzuar. Ndërkohë, rekomandimi për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve për 57 familjet e lagjes “Postobllok” në Kuçovë mbetet ende pa përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Në lagjen “Perash” të Shkodrës, rekomandimi për funksionimin e rrjetit të kanalizimeve dhe mbrojtjen nga përmbytjet është pranuar, por sipas raportit nuk është zbatuar ende.
Avokati i Popullit thekson se sfida kryesore në këtë sektor nuk është më identifikimi i shkeljeve, por kthimi i rekomandimeve në standarde të qëndrueshme për mbrojtjen e konsumatorit. Monitorimi vjetor ka treguar rezultate jo të njëtrajtshme, pasi në sektorin e energjisë elektrike disa rekomandime janë zbatuar, ndërsa të tjera janë lënë pa përgjigje nga institucionet përgjegjëse. /ekofin.al

