Autonomia spitalore është një mënyrë e re menaxhimi dhe financimi të spitaleve, për të çuar në një tjetër nivel cilësinë dhe dhënien në kohë e shërbimeve për qytetarët. Ligji i ri për shërbimin spitalor i ka hapur rrugë një ndryshimi të shumëpritur për shërbimin spitalor publik dhe jo publik, duke i dhënë së pari mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetadministruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare.
Karta e Autonomisë Manaxheriale u pilotua për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit në mars të vitit të kaluar, ku me fillimin e punës si një qendër autonome, ky spital shënoi rritje në të gjithë treguesit kryesorë të tij.
Sot Kryeministri Edi Rama mori pjesë në dorëzimin e kartave menaxheriale për QSUT dhe 4 spitale rajonale, në një takim me drejtues dhe stafin mjekësor të këtyre spitaleve, si dhe specialistë të fushës së shëndetësisë.
“Ne jemi në një stad krejt tjetër dhe këtë unë mund ta konfirmoj edhe si pacient i QSUT dhe jo më larg se pardje, në mos gabohem, ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme dhe më shkruan mesazh që, “nuk e besoj dot akoma që ky është spitali ynë në Tiranë” sepse ai mori detyrën duke ardhur nga shërbimi diplomatik jashtë. Kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar nga ai spital i cili është padyshim për nga kushtet, por unë mund të them edhe nga ekspertiza e mjekëve aty, ndër spitalet e mira të Europës dhe patjetër që më vjen mirë ta kujtoj edhe çfarë më tha një nga operuesit e mi dhe po e citoj meqë ai nuk dyshohet për patronazhist, se është demokrat 24 karat që ishte në derë dhe tha që “të kishim në sallën e operacionit, për herë të parë në historinë e shërbimit shqiptar shëndetësor një kryeministër se gjithë të tjerët nuk kanë kaluar kurrë nga shërbimi shëndetësor”.
I them këto për të sjellë në aktualitetin e kohës së sotme këtë përpjekje pa të cilën do të ishte e pamundur të mblidheshim sot, për kartat e autonomisë spitalore.
Ka qenë një nga objektivat strategjikë që mjekëve në shërbimin publik shëndetësor dhe trupës së shërbëtorëve me bluza të bardha në sistemin publik shëndetësor t’i jepnim një fuqi përtej pozicionit të rrogëtarit dhe spitaleve t’i jepnin lirinë që përmes autonomisë menaxheriale të administronin
financat e tyre dhe të krijonin mundësinë që mjekët të gjithë të paguhen me një pagë horizontale nga shteti, por cilido prej tyre që punon më shumë, që operon më shumë, që meriton më shumë të ketë mundësinë të paguhet edhe më shumë.
Nuk ka asnjë arsye sot mendoj unë, që shërbimi publik të mos jetë zgjedhja e parë edhe e atyre shqiptarëve që për shkak se i kanë mundësitë, e kanë mendjen vetëm tek privati”, tha Rama.
