Grupi kryesor austriak i sigurimeve, Vienna Insurance Group (VIG) ka reaguar zyrtarisht në lidhje me licencimin e shoqërisë “Vienna Life” për të operuar në tregun e Jetës. Përmes një njoftim për shtyp VIG nënvizon se përmes krijimit të shoqërisë së re po forcon pozitat e saj në Europën Juglindore dhe në veçanti në Shqipëri
Licencimi i shoqërisë së pestë që do të operojë në tregun e Jetës u bë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare më 24 dhjetor 2024, që përkon edhe me një datë jubilare, 200-vjetorin e krijimit të VIG.
Së bashku me SIGMA dhe Intersig – dy shoqëri që operojnë tashmë prej shumë vitesh në tregun e jo-jetës – Vienna Life është kompania e tretë e sigurimeve VIG që operon në tregun shqiptar.
Grupi austriak konstanton se me rritjen dinamike dhe densitetin e ulët të produkteve në sigurimin e jetës, Shqipëria ofron një mjedis tregu tërheqës për VIG.
“Ne kemi besuar gjithmonë në potencialin e tregut shqiptar. Prania jonë lokale shkon prapa në vitin 2007 – pothuajse 20 vjet në të cilat ne kemi zgjeruar vazhdimisht portofolin tonë të produkteve dhe shërbimeve në biznesin jo-jetësor dhe në këtë mënyrë kemi arritur të pozicionohemi nën lojtarët kryesorë. Me hyrjen në tregun lokal të sigurimeve të jetës, ne forcojmë ndjeshëm pozicionimin tonë dhe tani mbulojmë të gjithë spektrin e zgjidhjeve të sigurimit, duke iu drejtuar klientëve me pakicë dhe korporatave.” Shprehet Christoph Rath, anëtar Bordi i VIG, përgjegjës për Shqipërinë.
VIG vlerëson se market share i grupit në Shqipëri arrin në 22% të tregut, ndërsa kthimi nga kapitali vlerësohet në rreth 20%.
Vienna Life do të përqendrojë ofertën e saj në treg në produktet e riskut si mbrojtja e kredisë dhe sigurimi me afat, por gjithashtu do të promovojë produkte kursimi si sigurimi tradicional i jetës si dhe zgjidhjet e pensioneve. Përveç sigurimit të jetës, kompania do të zhvillojë gjithashtu produkte për sigurimin e shëndetit.

