Atlantik rezulton të jetë shoqëria me vlerën më të ulët të dëmeve pezull në tregun e sigurimeve, në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2023. Rezulton që kjo shoqëri të ketë vetëm 71 milionë lekë dëme me status pezull, që janë dëme në proces vlerësimi, dëme të miratuara por ende të papaguara, ose dëme të cilat janë objekt i proceseve gjyqësore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dëmet pezull janë pakësuar me 20.85%, rënia më e madhe në nivel tregu. Gjithashtu, kjo është shifra më e ulët e dëmeve pezull të shoqërisë të paktën në 5 vitet e fundit.
Sa i përket praktikave të dëmeve pezull, Atlantik ka një shifër relativisht të ulët, prej 320, duke u renditur në vend të dytë në tregun e Jo-Jetës, pas Albsig, si shoqëria me numrin më të ulët të praktikave të dëmeve pezull. Për periudhën janar-qershor 2023, rezulton të jenë paguar rreth 160 milionë lekë dëme, shifër në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por përsëri shoqëria ia ka dalë të ulë stokun e dëmeve pezull.
Atlantik jo vetëm i është përgjigjur në kohë klientëve të saj, duke paguar dëmet, kryesisht në rastet e aksidenteve të shkaktuara ndaj palëve të treta, për policat TPL, ku rezulton të jetë paguar vlera kryesore e dëmeve, por shoqëria ka paguar në kohë edhe dëmet objekt Fond Kompensimi, për aksidentet e shkaktuara nga mjete të pasiguruara ose të paidentifikuara (të larguara nga vendngjarja). Përsa i përket dëmeve të paguara Fond Kompensimi, Atlantik renditet në vend të tretë në nivel tregu për 6-mujorin e parë të këtij viti.
Edhe pse në vend të fundit në tregun e Jo-Jetës sa i përket primeve të shkruara bruto, Atlantik vijon të ketë një performancë të stabilizuar dhe një ecuri thuajse konstante tashmë prej shumë vitesh në tregun e sigurimeve. Gjithashtu, gjatë vitit të fundit ajo ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin dhe performancën e saj financiare. Sipas bilanceve, shoqëria arkëtoi një fitim prej rreth 83 milionë lekë në vitin 2022, një rezultat dukshëm më i mirë se ai i vitit 2021, që ishte rreth 12 milionë lekë. /ekofin.al

