Dispozitat e Kodit Penal për veprat penale që lidhen me zjarrvënien do të ashpërsohen, në vijim të deklaratave të Kryeministrit kur premtoi ndëshkim ekzemplar për autorët e zjarreve gjatë periudhës së verës.
Ndryshimet e reja, të hedhura në konsultim publik, parashikojnë dënime shumë më të rënda, sidomos për rastet kur zjarri shkakton pasoja në zonat e mbrojtura, afër qendrave të banuara apo në kushte të rritjes së rrezikut përhapës.
Aktualisht, sipas neni 206/a, shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Me shtesën e re ligjore, masa do të ashpërsohet edhe më tej. Dispozita parashikon se “Po kjo vepër, e kryer në një kohë kur kushtet e motit ose të terrenit rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes dhe vështirësojnë marrjen e masave për shuarjen e tij apo kur kryhet pranë qendrave ose vendeve të banuara, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet brenda zonave të mbrojtura, ose prek objekte të trashëgimisë kulturore, objekte të kultit, monumente të kulturës apo kur cënon infrastrukturën kritike, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.”.
Ndërkohë, shtesa paragrafi i dytë ndryshohet: “Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Në këto raste gjykata vendos që klasifikimi i tokës në zonat e prekura nga zjarri në pyje nuk mund të ndryshohet brenda një periudhe deri në tridhjetë vjet.”
Jo vetëm zjarrvënia e qëllimshme, por edhe ajo nga pakujdesia do të dënohet më ashpër.
Aktualisht dispozita parashikon një dënim nga 2 deri në 5 vjet për shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Ndryshimet e reja ligjore ashpërsojnë masën duke mbajtur në konsideratë edhe vështirësitë e terrenit.
Në nenin 206/b, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë dhe i tretë me përmbajtje si vijon:
“Po kjo vepër, e kryer në një kohë kur kushtet e motit ose të terrenit rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes dhe vështirësojnë marrjen e masave për shuarjen e tij apo kur kryhet pranë qendrave ose vendeve të banuara, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet.
Kur kjo vepër kryhet brenda zonave të mbrojtura, ose prek objekte të trashëgimisë kulturore, objekte të kultit, monumente të kulturës apo kur cënon infrastrukturën kritike, dënohet me burgim nga katër deri në shtatë vjet.”. /ekofin.al

