Me hyrjen në fuqi të ligjit për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe miratimin e disa akteve nënligjore, tashmë është botuar në fletore zyrtare duke hyrë në fuqi edhe udhëzimi për procedurat për asgjësimin e mbetjeve të bimës cannabis mjekësor dhe atij industrial.
Mënyrat e asgjësimit të mbetjeve të cannabis-it mjekësor përcaktohet të kryhen me incenerim ose me metoda kimike. Sipas udhëzimit, incenerimi kryhet nga pala e kontraktuar për këtë qëllim, e cila duhet të disponojë lejet dhe duhet të ketë kapacitetet përkatëse për kryerjen e incenerimit sipas përcaktimeve në udhëzim. Midis të tjerash procesi i incenerimit zhvillohet në temperaturë mbi 850° Celsius.
Ndërsa asgjësimi me metoda kimike kryhet nga vetë subjekti. Kjo mënyrë asgjësimi kryhet brenda njësisë së prodhimit, për sasi të vogla, në raport me sasinë dhe llojin e solucionit të përdorur. Asgjësimi me metoda kimike (përdorimi i solucioneve kimike të miratuara) kryhet nga punonjës të trajnuar, në prani të përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse të parashikuara në këtë udhëzim.
Sa i përket asgjësimit të kanabisit industrial përveç metodave të përmendura më lart, përfshihet edhe trajtimi në landfill nga pala e kontraktuar për këtë qëllim, e cila duhet të disponojë lejet dhe duhet të ketë kapacitetet përkatëse për kryerjen e trajtimit në landfill sipas përcaktimeve në këtë udhëzim.
Për këtë lloj trajtimi, mbetjet e cannabis-it grimcohen dhe më pas përzihen në raportin 50:50 me materiale të tjera; Më pas ky material vendoset në gropën e hapur në landfill dhe sigurohet që materiali i groposur të jetë plotësisht i mbuluar dhe të mos rikuperohet më.
Pas groposjes, përfaqësuesit e institucioneve dhe palëve që janë prezent duhet të dokumentojnë procesin me foto dhe video. Asgjësimi i mbetjeve të cannabis-it industrial që pas kontrollit të cilësisë ka rezultuar me nivele të THC-së më të larta se 0.8% kryhet me incenerim.
Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it është autoriteti që do të kontraktojë palët për kryerjen e procesit të magazinimit, transportit, asgjësimit, përmes një procedure publike të njoftuar në faqen e saj zyrtare, bazuar në terma reference dhe kushtet që duhet të plotësojnë palët.
Në përfundim, pas procedurës, drejtori i përgjithshëm lidh kontratën me palët që kanë kaluar procesin e vlerësimit.
Kontrata lidhet për një periudhë 2-vjeçare dhe përmban, përveç të tjerash, çmimin tavan, tarifën shtesë që aplikohet kur shërbimi kërkohet të ofrohet me urgjencë dhe kohën maksimale të ofrimit të shërbimit, penalitetet që aplikohen nëse shërbimi nuk ofrohet në kohë, me cilësinë dhe specifikimet e kërkuara; penalitetet për zgjidhjen e kontratës para afatit.
Agjencia nis procedurat për rishpalljen e procedurës jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të afatit 2-vjeçar të kontratave të mëparshme.
Palët e kontraktuara kanë detyrimin të përcjellin në Agjenci, brenda 24 orëve nga njoftimi, ofertën përkatëse, në të cilën çmimi nuk duhet të kalojë çmimin tavan të përcaktuar në kontratë.
Nëse subjekti nuk realizon likuidimin e faturës brenda afatit të përcaktuar, Agjencia zbaton përcaktimet për kundërvajtjet administrative dhe i vendos subjektit një afat të dytë 5-ditor për likuidimin e faturës. Ky njoftim i Agjencisë konsiderohet masë e dhënë për subjektin.
Nëse subjekti nuk likuidon faturën dhe pas afatit të dytë të vendosur nga Agjencia, Agjencia i cakton si sanksion ndalimin e përkohshëm të kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet./ekofin.al
