Tregu i Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive (SIK) në Shqipëri ka shënuar një gjysmëvjetor pozitiv, duke reflektuar rritje të fortë në vlerën e aseteve dhe në numrin e investitorëve. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se më 30 qershor 2025 ky treg po tërheq gjithnjë e më shumë kursimtarë që kërkojnë alternativa përtej depozitave bankare.
Rritje e ndjeshme e aseteve
Në fund të muajit qershor, vlera neto e aseteve të tregut arriti në 69.09 miliardë lekë (rreth 704 milionë euro), duke u rritur me 12.59% ose gati 7.7 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2024. Ky është një nga treguesit më të fortë të zgjerimit të fondeve të investimit në vend, që prej disa vitesh po konsolidohen si një alternativë e qëndrueshme për investime afatmesme dhe afatgjata.
Më shumë investitorë në treg
Edhe numri i investitorëve ka ndjekur të njëjtin trend. Në mesin e vitit 2025, në tregun SIK numëroheshin 41,418 investitorë, duke regjistruar një rritje prej 9.61% krahasuar me 31 dhjetor 2024. Ky zgjerim tregon jo vetëm rritjen e besimit, por edhe përhapjen graduale të kulturës së investimit tek individët dhe bizneset shqiptare.
Fondet publike me peshën kryesore
Fondet e investimit me pjesëmarrje të hapur dhe me ofertë publike vijojnë të mbajnë peshën kryesore të tregut. Asetet neto të tyre u rritën në 62.95 miliardë lekë (rreth 642 milionë euro), duke shënuar një rritje prej 13.68% brenda gjashtë muajve.
Titujt qeveritarë dominojnë portofolin
Struktura e investimeve mbetet e përqendruar kryesisht tek titujt e borxhit publik. 83.84% e aseteve janë të investuara në bono thesari dhe obligacione qeveritare, duke reflektuar profilin konservator të fondeve, por njëkohësisht edhe kërkesën për instrumente të sigurta. Megjithatë, ka një hapje të ngadaltë drejt tregjeve të huaja, pasi 5.79% e portofolit është e orientuar në investime ndërkombëtare.
Struktura e tregut
Në total, në tregun SIK operojnë 6 shoqëri administruese, të licencuara nga AMF, nga të cilat 4 me kapital vendas dhe 2 me kapital të huaj. Deri në qershor 2025, numri i fondeve të regjistruara ka arritur në 18, prej të cilave 4 janë fonde alternative.
Ky zhvillim tregon se tregu shqiptar i fondeve të investimit po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke u kthyer në një kanal alternativ financimi për qeverinë, përmes blerjes së titujve të borxhit, por edhe në një mundësi për individët dhe bizneset që kërkojnë të diversifikojnë kursimet dhe investimet. /ekofin.al

