Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, tregu i fondeve private të pensioneve paraqet një tablo të qëndrueshme, por larg ritmeve që do të priteshin në kushtet kur incentivat fiskale janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se më 30 shtator 2025 në këtë treg ushtronin aktivitet shtatë fonde pensioni, ndërsa vlera totale e aseteve neto arriti në 14.357 milionë lekë, ose rreth 148 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 1.486 milionë lekësh, ose 11.55% krahasuar me fundin e vitit 2024, një progres pozitiv, por ende i moderuar për një treg që pritet të marrë vrull pas ndryshimeve të rëndësishme ligjore.
Gjithashtu, numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private me pjesëmarrje, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, arriti në 48,864. Rritja prej 8.77% ndaj fundvitit të kaluar tregon interes të shtuar, por jo një zgjerim të fuqishëm të bazës së kontribuuesve. Kjo mbetet veçanërisht domethënëse po të kemi parasysh se ligji i ri për fondet private, në fuqi prej vitit 2024, rriti ndjeshëm përfitimet fiskale për individët që kontribuojnë në këto skema. Kufiri i përjashtimit tatimor u rrit deri në nivelin e pagës minimale, duke e çuar vlerën e zbritshme nga tatimet deri në 480 mijë lekë në vit, një rritje prej 140% krahasuar me pragun e mëparshëm.
Megjithatë, pavarësisht kësaj shtyse të fortë financiare, tregu nuk po shfaq ende një rritje proporcionale. Ritmet e moderuara të zgjerimit sugjerojnë se ndërgjegjësimi publik dhe kultura financiare lidhur me kursimet për pleqëri vijojnë të mbeten pengesa kryesore. Për shumë qytetarë, fondet private të pensioneve vazhdojnë të perceptohen si produkte dytësore, ndërkohë që presioni mbi skemën publike të pensioneve dhe dinamikat demografike flasin për nevojën urgjente të një diversifikimi të burimeve të ardhshme të të ardhurave.
Shifrat e 9-mujorit konfirmojnë se tregu ka potencial, por jo ritmin e nevojshëm për të krijuar bazën e qëndrueshme të kursimeve afatgjata që një ekonomi në zhvillim si Shqipëria kërkon. Ndaj, sfida qëndron jo vetëm tek incentivimi fiskal, por tek zgjerimi i fushatave të edukimit financiar, përfshirja e më gjerë e punëdhënësve në skemat vullnetare, si dhe ndërtimi i një besimi më të fortë të publikut tek institucionet që menaxhojnë fondet./ekofin.al
