Gjatë muajit gusht Shqipëria ka regjistruar një fluks të konsiderueshëm vizitorësh, me 2.167.665 të huaj që kanë hyrë në vend, një rritje prej 7,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shtetasit shqiptarë gjithashtu kanë treguar një aktivitet të lartë, me 938.461 hyrje, një rritje prej 13,7% në krahasim me gushtin e 2023.
Një përqindje e lartë e hyrjeve të shtetasve të huaj, saktësisht 96% vijnë nga Evropa, me Evropën Jugore që ka 77% të këtyre hyrjeve, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 9%. Kryesisht, 99% e hyrjeve në territorin e Shqipërisë janë për qëllime personale, duke përfshirë pushime dhe vizita te të afërmit. Ky tregues ka shënuar një rritje prej 10,4% krahasuar me gushtin e vitit 2023.
Një rritje e dukshme është vënë re edhe në hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale, me një rritje të jashtëzakonshme prej 49,4%. Të dhënat e INSTAT pasqyrojnë një trend pozitiv në turizëm dhe aktivitetin ekonomik në Shqipëri
Sa i përket daljeve për muajin gusht, të dhënat tregojnë një rritje të numrit të shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori, me 901.440 persona që kanë udhëtuar jashtë vendit, duke shënuar një rritje prej 9,2% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, daljet e shtetasve të huaj nga Shqipëria kanë arritur në 2.075.347, megjithatë ky tregues ka regjistruar një rënie të lehtë prej 0,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023./ekofin.al

