Çmimet e arit qëndruan të pandryshuara, pasi vëmendja e tregut u zhvendos te të dhënat e ardhshme PCE në SHBA për sinjale mbi drejtimin e politikës së Rezervës Federale, ndërsa një dollar më i fortë kufizoi fitimet. Ari “spot” mbeti në nivelin $3,372.67 për ons (në orën 17:44 GMT), pasi arriti nivelin më të lartë që prej 11 gushtit të premten. Kontratat e së ardhmes të arit në SHBA për dhjetorin u vendosën 0.03% më poshtë, në $3,417.5.
Dollarit iu shtua 0.5% kundrejt rivalëve, duke e bërë arin e çmuar me çmim në këtë monedhë më të shtrenjtë për blerësit e huaj.
“Tregu po përthith komentet e Powell-it nga e premtja… ndërsa presim të dhëna të reja që mund të japin një tregues më të qartë për mundësinë e një uljeje të normave në shtator,” tha Peter Grant, nënkryetar dhe strateg i lartë i metaleve në Zaner Metals. “Mendoj se periudha e qetësisë verore po i afrohet fundit. Prandaj, pres që prirja në rritje e arit të riforcohet.”
Çmimet e arit u ngjitën në një nivel pothuajse dyjavor të premten, pasi kreu i Fed-it, Jerome Powell, sinjalizoi një ulje të mundshme të normës së interesit në takimin e muajit të ardhshëm. Powell tha se rreziqet për tregun e punës po rriteshin, por inflacioni mbetej një kërcënim dhe vendimi ende nuk ishte marrë.
Sipas CME FedWatch Tool, tregjet parashikojnë mbi 86% gjasa për një ulje prej 25 pikësh bazë të normës së interesit në mbledhjen e Fed-it në shtator. Tërheqja e arit, që nuk gjeneron të ardhura, zbehet në një mjedis me norma të larta interesi.
Investitorët tani po presin të dhënat mbi Shpenzimet Personale të Konsumit (PCE) në SHBA, që do të publikohen të premten, për sinjale të mëtejshme mbi rrugën e uljes së normave nga banka qendrore. Pritet që të dhënat të tregojnë një rritje të inflacionit bazë në nivelin më të lartë që nga fundi i vitit 2023, në 2.9%.
Në tregjet e tjera, argjendi “spot” ra me 0.3% në $38.72 për ons, platini u ul me 1.6% në $1,339.40, ndërsa palladiumi zbriti me 2.7% në $1,096.20./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
