Ari dhe argjendi kanë përjetuar një fund viti me luhatje të forta çmimesh, në një vit kur vlerat e tyre janë në rrugë për të shënuar rritjet më të mëdha vjetore që nga viti 1979. Çmimi i arit u rrit me më shumë se 60% gjatë këtij viti, duke arritur një rekord historik mbi 4,549 dollarë (3,378 paund) për ons, përpara se të binte pas Krishtlindjeve dhe të qëndronte rreth 4,330 dollarë në prag të Vitit të Ri. Ndërkohë, argjendi po tregtohej rreth 71 dollarë për ons, pasi kishte prekur një nivel rekord prej 83.62 dollarësh të hënën.
Fitimet e këtij viti janë nxitur nga disa faktorë, përfshirë pritshmëritë për më shumë ulje të normave të interesit, blerjet e arit nga bankat qendrore dhe investitorët që janë orientuar drejt aseteve të ashtuquajtura “strehë e sigurt”, për shkak të shqetësimeve mbi tensionet globale dhe pasigurinë ekonomike.
“Çmimet e arit dhe argjendit po përjetojnë një rritje të dukshme për shkak të ndërthurjes së disa faktorëve ekonomikë, investues dhe gjeopolitikë,” tha Rania Gule nga platforma e tregtimit XS.com. Sipas saj, shtytësi kryesor i rritjes së çmimeve të metaleve të çmuara janë pritshmëritë që Rezerva Federale e SHBA-së do të ulë sërish normat e interesit në vitin 2026.
Gjithashtu, gjatë këtij viti, bankat qendrore në mbarë botën kanë shtuar qindra tonë ar në rezervat e tyre, sipas Shoqatës së Tregtisë të Këshillit Botëror të Arit. Daniel Takieddine, bashkëthemelues i kompanisë së investimeve Sky Links Capital Group, thekson se “shtrëngimi i ofertës dhe kërkesa industriale” kanë ndihmuar në rritjen e çmimit të argjendit.
Kina, prodhuesi i dytë më i madh në botë i argjendit, ka deklaruar se do të kufizojë eksportet e këtij metali të çmuar. Në tetor, Ministria kineze e Tregtisë njoftoi kufizime të reja për eksportet e argjendit, si edhe të metaleve tungsten dhe antimoni, me qëllim “forcimin e mbrojtjes së burimeve dhe të mjedisit”.
Duke reaguar ndaj një postimi në rrjetet sociale për kufizimet e qeverisë kineze mbi eksportet e argjendit, shefi i Tesla-s, Elon Musk, tha: “Kjo nuk është gjë e mirë. Argjendi nevojitet në shumë procese industriale.”
Z. Takieddine theksoi gjithashtu flukset e mëdha financiare që kanë hyrë në tregun e metaleve të çmuara përmes investimeve si fondet e tregtuara në bursë (ETF). ETF-të janë shporta investimesh që tregtohen në bursë si një aksion i vetëm dhe konsiderohen një mënyrë e përshtatshme për të tregtuar metale të çmuara, pasi investitorët nuk kanë nevojë të zotërojnë fizikisht shufra ari apo argjendi.
Znj. Gule tha se pret që ari të vazhdojë të rritet në vitin 2026, por “me një ritëm më të qëndrueshëm krahasuar me nivelet rekord të vëzhguara në vitin 2025”. Edhe argjendi ka potencial të rritet sërish gjatë vitit të ardhshëm, sipas z. Takieddine, por ai paralajmëron se “rally-t mund të pasohen nga korrigjime më të forta”./Përshtati nga BBC, ekofin.al
