Marrëdhënia e biznesit me administratën tatimore po shfaq shenja përmirësimi gradual, veçanërisht në aspektin e komunikimit dhe transparencës.
Sipas Anketës së zhvilluar nga Këshilli i Investimeve në Shqipëri, në vitin 2025, 59% e kompanive deklarojnë se komunikimi është përmirësuar, nga 52% në 2024 dhe 48% në 2022, edhe pse ende nën nivelin 69% të vitit 2018.
Profesionalizmi i inspektorëve gjithashtu ka një trend pozitiv, por nuk ka arritur ende kulmin e viteve 2017–2018. Vlerësimet për komponentë si komunikimi, etika dhe kompetenca profesionale tregojnë përmirësim nga niveli 44% në 2021 në rreth 60% në 2025, por ende më poshtë se 66–70% në 2017–2018.
Edhe qartësia e raporteve tatimore është rritur krahasuar me periudhën 2019–2022, ku disa komponentë kishin rënë deri në 44–49%, ndërsa në 2025 janë rikthyer në intervalin 58–64%, por ende larg niveleve 72–76% të viteve më të mira.
Ndërkohë, digjitalizimi po perceptohet pozitivisht, sidomos pas vitit 2022, duke përmirësuar aksesin dhe besueshmërinë e të dhënave. Megjithatë, gjyqësori mbetet pika më problematike, ku bizneset përmendin procedura të gjata, pasiguri juridike dhe kosto të larta si pengesa kryesore.
Apelimet në favor të biznesit rriten: nga 29% në 48% në disa vite
Një nga zhvillimet më domethënëse në marrëdhënien biznes–tatime është rritja e vendimeve të apelimit në favor të bizneseve. Në vitin 2018, vetëm 29% e vendimeve ishin në favor të biznesit, ndërsa kjo shifër u rrit në 35% në 2019, 41% në 2022 dhe arriti në 48% në vitin 2025.
Në të njëjtën kohë, pjesa e vendimeve në favor të administratës ka rënë nga 71% në 2018 në 52% në 2025, duke treguar një balancim gradual të sistemit.
Numri i apelimeve mbetet relativisht i qëndrueshëm, me 25% në 2018, një rritje në 43% në 2019 dhe një stabilizim në rreth 25–26% në 2022 dhe 2025. Kjo tregon se bizneset vazhdojnë të përdorin mekanizmin e apelimit, por me një efikasitet më të lartë.
Ky trend sugjeron rritje të profesionalizmit të strukturave të apelimit dhe një kapacitet më të madh të bizneseve për të argumentuar çështjet e tyre. /ekofin.al

