Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) publikoi sot gjetjet e Sondazhit të Mjedisit të Biznesit 2025, i zhvilluar gjatë periudhës gusht–tetor 2025 me pjesëmarrjen e anëtarëve të saj dhe investitorëve të huaj që operojnë në vend.
Në hapje të prezantimit, Presidenti i FIAA-s, z. Balazs Revesz, falënderoi bizneset anëtare për bashkëpunimin dhe përshëndeti të pranishmit, ndër të cilët znj. Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, dhe znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe institucioneve ekonomike.
Bizneset e huaja më pak optimiste se një vit më parë
Sipas rezultateve, indeksi i përgjithshëm i klimës së biznesit në Shqipëri është vlerësuar me 45 nga 100 pikë, duke shënuar një rënie me 4 pikë krahasuar me vitin 2024 (49 pikë).
Edhe pritshmëritë për klimën e biznesit në të ardhmen janë më të moderuara: 50 pikë nga 100, kundrejt 52 pikëve vitin e kaluar.
Sipas Ivi Rexhepit, ekspert në GRI Collective, i cili prezantoi gjetjet kryesore, rezultatet tregojnë një lëvizje “valëzuese” ndër vite, me ndryshime të vogla pozitive dhe negative, por që ofrojnë një pasqyrë të qartë të sfidave që ende përballet mjedisi i biznesit në vend.
Makroekonomia: Euro e dobët dhe inflacioni mbeten shqetësime
Nga faktorët makroekonomikë, depreciimi i euros dhe inflacioni i lartë renditen ndër problematikat më të ndjeshme për bizneset e huaja. Megjithatë, të dyja janë vlerësuar me ndikim më të ulët se në sondazhin e vitit të kaluar, çka sinjalizon një stabilizim të pjesshëm të pritshmërive.
Korrupsioni rritet, por informaliteti bie – përmirësim i ndjeshëm në siguri dhe konkurrencë
Në faktorët e brendshëm, niveli i korrupsionit të hasur nga bizneset është rritur me 6 pikë, duke arritur në 57/100, ndërsa informaliteti në sektorë të ndryshëm ka rënë me 5 pikë, në 61/100.
Ndërkohë, renditja për rendin dhe sigurinë është përmirësuar me 25 pikë, duke arritur në 36/100, dhe perceptimi për konkurrencën në treg është përmirësuar me 13 pikë, duke sinjalizuar një treg më të hapur dhe më të drejtë.
Politika dhe drejtësia me shenja stabilizimi
Në vlerësimin e klimës politike, rezultati ka arritur në 43/100, një përmirësim i moderuar prej 6 pikësh krahasuar me 2024.
Sistemi gjyqësor është vlerësuar me 56/100, me një rritje të lehtë prej një pikë, duke reflektuar perceptim të qëndrueshëm për reformat në drejtësi.
Tatimet dhe energjia: kontraste të forta
Në aspektin e furnizimit me energji, raporti evidenton përmirësim të përgjithshëm krahasuar me 2024, ndërsa në sistemin tatimor, perceptimet mbeten të përziera:
• Llogaritja e detyrimeve tatimore dhe penaliteteve (38/100) dhe procesi i rimbursimit të TVSH-së (44/100) janë nën mesataren.
• Ndërkohë, frekuenca e ndryshimeve ligjore tatimore (60/100) dhe qartësia e interpretimeve nga autoritetet tatimore (57/100) mbeten ndër sfidat kryesore.
Marrëdhëniet me institucionet publike: progres i kufizuar
Në marrëdhëniet me institucionet shqiptare, vetëm dy nga pesë dimensione kanë kaluar mesataren:
• Kapacitetet dhe ekspertiza e institucioneve publike (56/100)
• Sistemi i prokurimeve publike (52/100).
Megjithatë, raporti vëren rënie të përgjithshme të performancës institucionale, duke reflektuar nevojën për më shumë stabilitet administrativ dhe dialog me biznesin.
Tregu i punës: mungesë e vazhdueshme e stafit të kualifikuar
Tregu i punës mbetet një ndër sfidat kryesore. Akses në punonjës të kualifikuar është vlerësuar me 72/100, dy pikë më pak se një vit më parë, ndërsa rritja e pagave me 62/100, gjithashtu në rënie me 3 pikë krahasuar me 2024.
Sipas raportit, presionet e tregut të punës po ndikojnë në kostot operative të kompanive, veçanërisht në sektorët me mungesë të aftësive teknike.
Pritshmëri neutrale për vitin 2026
Investitorët e huaj nuk presin ndryshime të mëdha ekonomike për vitin e ardhshëm – me një rezultat prej 56/100, në një shkallë ku 0 nënkupton “dobësim të fortë” dhe 100 “përmirësim të fortë”.
Ndërkohë, pritshmëritë për rritje të xhiros janë më optimiste, me 60/100, duke treguar një besim të matur në stabilitetin e tregut.
Integrimi në BE shihet si katalizator i reformave
Për herë të parë, sondazhi përfshiu një seksion mbi integrimin evropian dhe planin e rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Rezultatet tregojnë një nivel të lartë ndërgjegjësimi:
• 79% e investitorëve janë njohur me agjendën e reformave të qeverisë në kuadër të negociatave të BE-së;
• 77% njihen me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor;
• Dhe 98% e tyre shprehen të interesuar të mësojnë më shumë mbi përfitimet konkrete që këto nisma mund të sjellin për biznesin.
Dy të tretat e respondentëve vlerësojnë pozitivisht rolin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri në përmirësimin e klimës së biznesit.
FIAA: Bashkëpunimi publik-privat, thelbësor për një klimë më të qëndrueshme
Prej më shumë se 15 vitesh, FIAA monitoron elementët bazë të klimës së biznesit në vend, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit të huaj.
Sipas shoqatës, konsultimi i hapur dhe përfshirja në procesin e reformave janë çelësi për një mjedis më konkurrues dhe tërheqës për investime të reja në Shqipëri. /ekofin.al

