Raiffeisen Bank ka reaguar pas rasteve të bëra publike nga klientë të saj në media dhe rrjetet sociale, të cilët janë ankuar se gjatë ditës së sotme kanë konstatuar ndryshime në balancat e llogarive, edhe pse pretendojnë se nuk kanë kryer veprime me kartë që justifikojnë këto lëvizje.
Në një njoftim zyrtar, banka bën të ditur se problematika ka qenë e përkohshme dhe ka qenë e lidhur me disa transaksione me kartë. Sipas Raiffeisen, situata tashmë është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë.
“Gjatë ditës së sotme, disa nga klientët tanë kanë hasur përkohësisht ndryshime në balancat e llogarive të tyre, të lidhura me disa transaksione me kartë. Situata është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë”, thuhet në reagimin e bankës.
Raiffeisen ka hedhur poshtë gjithashtu dyshimet se problematika mund të ketë ardhur nga një ndërhyrje në sistemet e saj. Banka deklaron se nuk është identifikuar asnjë akses i paautorizuar, nuk ka pasur komprometim të të dhënave të klientëve dhe nuk është evidentuar ndonjë incident i sigurisë kibernetike.
Reagimi vjen pasi në media dhe rrjetet sociale u publikuan ankesa të klientëve që pretendonin se kishin konstatuar ulje të balancave të llogarive të tyre, në disa raste me shuma të konsiderueshme, pa identifikuar një blerje apo veprim të kryer prej tyre që të shpjegonte diferencën.
Sipas raportimeve të publikuara në media, një prej rasteve lidhej me një klient që pretendonte se, pas një pagese prej rreth 1,100 lekësh, balanca e komunikuar nga banka rezultonte rreth 50 mijë lekë më e ulët nga sa priste. Ankesa të ngjashme janë bërë publike edhe nga klientë të tjerë.
Në raportimet fillestare u ngritën edhe dyshime se situata mund të lidhej me një incident kibernetik, ndërsa u përmendën paralajmërimet e bankës për tentativa mashtrimi të tipit “smishing”. Megjithatë, Raiffeisen e mohon shprehimisht që rasti i ndryshimit të balancave të ketë ardhur nga një incident i sigurisë kibernetike.
Sipas versionit zyrtar të bankës, bëhet fjalë për ndryshime të përkohshme të balancave të lidhura me disa transaksione me kartë dhe jo për humbje të fondeve apo akses të paautorizuar në llogaritë e klientëve.
Raiffeisen u ka kërkuar ndjesë klientëve për shqetësimin dhe i ka falënderuar për mirëkuptimin, durimin dhe besimin. Banka ka bërë të ditur gjithashtu se shërbimi i asistencës është në dispozicion 24 orë në 7 ditë në numrin e kontaktit të publikuar prej saj.
