Që nga shpërthimi i fazës më të fundit të luftës në Lindjen e Mesme, të gjithë po spekulojnë se sa mund të zgjasë konflikti dhe sa mund të rriten çmimet e energjisë. Një pikëpyetje tjetër është se çfarë pasojash ekonomike globale mund të ketë kjo, dhe si mund të ndikojë tek investimet. Ekspertët e OTP Bank nuk parashikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të rëndësishëm, apo një luftë të zgjatur; megjithatë, për shkak të pasigurisë dhe rreziqeve, në këtë kohë ata rekomandojnë marrjen në konsideratë të investimeve mbrojtëse. Sipas analistëve, fituesi relativ i luftës mund të jetë tregu amerikan, ndërsa ajo që mund të vuajë më shumë nga situata aktuale është Evropa.
Shtetet e Bashkuara janë ekonomikisht shumë më të izoluara nga lufta aktuale në Lindjen e Mesme, pasi varësia e tyre nga energjia është dukshëm më e ulët dhe madje janë një eksportues i madh, sipas raportit më të fundit tremujor Investment Outlook të OTP Bank. Megjithatë, në afat më të gjatë ekonomia amerikane nuk mund të mbrohet plotësisht nga rritja e çmimeve të naftës, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, apo dhe rritja e kostove, shton raporti.
Evropa ka arsye të shqetësohet për çmimet e energjisë
Edhe pse lufta ka rritur rreziqet, analistët e bankës ende presin që ekonomia amerikane të rritet me një ritëm rreth 2 për qind. Rritja e çmimeve të naftës mund të dobësojë perspektivat e konsumit amerikan dhe të rrisë inflacionin. Në të njëjtën kohë, çmimet më të larta të naftës mund të rrisin fitimet e kompanive amerikane të naftës – gjë që mund të përkthehet në investime të mëtejshme dhe rritje të prodhimit.
“Për Shtetet e Bashkuara, rreziku afatgjatë qëndron tek rritja e defiçitit buxhetor dhe borxhit kombëtar,” – u shpreh z. Gergely Tardos, Drejtues i Qendrës së Kërkimeve të OTP Bank. Ai iu referua gjithashtu vlerësimeve duke sugjeruar se, gjatë vitit 2026 shpenzimet për interesat të qeverisë amerikane mund të dyfishohen, duke arritur në 2 trilionë dollarë në vit. Për më tepër, presidenti mund të inkurajohet të aplikojë stimuj fiskalë shtesë për shkak të renditjes së ulët elektorale, përpara zgjedhjeve të mesmandatit të këtij viti – shtuar këtu edhe kërkesën për miratim nga Kongresi për 200 miliardë dollarë, për të financuar luftën në Iran.
Varësia e Evropës nga energjia është dukshëm shumë më e lartë; megjithatë, sipas analistëve lufta aktuale që përfshin Iranin nuk paraqet më shumë rrezik për kontinentin, sesa shpërthimi i konfliktit Rusi–Ukrainë, në vitin 2022. Bazuar në skenarin aktual bazë, lufta mund të ketë një ndikim negativ të moderuar prej 0.2–0.3 pikë përqindje në rritjen e eurozonës edhe pse çmimet e larta të energjisë që vazhdojnë, mund të mbartin rrezikun e stagflacionit. Edhe në këtë rast, një recesion në eurozonë mund të shmanget, vijojnë analistët – duke sugjeruar se në një skenar të tillë Banka Qendrore Evropiane (BQE) me gjasë nuk do të mund të shmangte rritjen e normave të interesit
Tregoni kujdes me aksionet!
Në situatën aktuale, një kujdes i shtuar është i nevojshëm edhe në fushën e investimeve, pasi pasiguria e madhe ekonomike po rëndon mbi tregjet.
Sa i përket tregut amerikan të aksioneve, analistët theksojnë se korrigjimi i vërejtur deri më tani nuk e kompenson rrezikun ekonomik që lind nga lufta, pasi aksionet mbeten të shtrenjta dhe cikli i fitimeve korporative është në fazat e vona. Në përgjithësi, ata vazhdojnë të rekomandojnë ekspozim neutral; megjithatë, brenda sektorëve ata favorizojnë industritë mbrojtëse. Për këtë arsye, rekomandimet më të fundit të bankës tani përfshijnë sektorin amerikan të kujdesit shëndetësor, e gjithashtu ata e konsiderojnë më të përshtatshme se më parë investimin tek kompanitë e shërbimeve publike mbrojtëse.
Në lidhje me këto të fundit, ata vërejnë se kërkesa globale për energji elektrike dhe përhapja e energjisë së rinovueshme, ka gjithashtu një perspektivë më të mirë. Në të njëjtën kohë, minierat (të konsideruara industri ciklike) janë hequr nga rekomandimet, pasi perspektivat e tyre janë përkeqësuar nga rreziqet ekonomike. Ndër rekomandimet afatgjata të bazuara në trende, prodhimi i gjysmëpërçuesve dhe siguria kibernetike mbeten të pandryshuara. Edhe pse lufta mund të paraqesë sfida për këta sektorë, pritet që ato të performojnë mirë në të ardhmen pavarësisht situatës aktuale.
Aksionet evropiane duhen shmangur në mënyrë specifike
Për shkak të ekspozimit të madh ekonomik, ekspertët tani rekomandojnë nën-çmimin e tregjeve evropiane të aksioneve. Nga ky këndvështrim mund të themi se, vështirë se mund të gjendej një kohë më e keqe për të ardhur lufta – pasi këto aksione sapo kishin filluar të performonin më mirë: fitimete korporatave tregonin shenja përmirësimi, por kjo tani mund të minohet nga çmimet e larta të energjisë.
Performanca e tregjeve në zhvillim e parë në vitet e fundit, mund të frenohet nga një dollar më i fortë, pritshmëritë për rritje të normave të interesit, si dhe rreziqet e lidhura me rritjen ekonomike. Në të njëjtën kohë, kjo mund të kompensohet pjesërisht nga rritja e fortë e fitimeve korporative dhe përmirësimi i vlerësimeve.
Brenda tregjeve në zhvillim, ekspertët e OTP Bank e konsiderojnë Azinë si një humbës relativisht të madh të luftës: rajoni është një nga blerësit më të mëdhenj të energjisë së Lindjes së Mesme, dhe Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kyçe transporti për të, kështu që çdo mbyllje do të përkeqësonte perspektivën. Në afat të shkurtër, analistët besojnë se tregu indian mund të jetë një nga më të prekurit negativisht nga lufta; megjithatë, mbetet tërheqës me një perspektivë afatgjatë, për shkak të vlerësimit relativisht të ulët. Përkundër kësaj, Amerika Latine mund të përfitojë më shumë nga konflikti, pjesërisht si eksportues i rëndësishëm energjie dhe pjesërisht për shkak të ekspozimit më të kufizuar ndaj Lindjes së Mesme.
Spektri i stagflacionit po shfaqet gjithashtu
Brenda tregjeve në zhvillim, aksionet e Evropës Qendrore dhe Lindore u konsideruan më të lirat për një kohë të gjatë, por norma e zbritjes është zvogëluar muajt e fundit. Për më tepër, kompanitë në rajon kërcënohen gjithashtu nga kostot më të larta të energjisë dhe taksat speciale të mundshme që qeveritë mund të prezantojnë, për të kompensuar shpenzimet në rritje.
Raporti Investment Outlook i OTP Bank gjithashtu zbulon se rreziqet në rritje të inflacionit po u lidhin duart bankave qendrore, kur bëhet fjalë për uljen e normave të interesit, – ndërsa në afat të shkurtër, po intensifikohen gjithashtu rreziqet e stagflacionit. Kjo do të thotë se, në vend të obligacioneve shtetërore afatgjata tani është shumë më e këshillueshme të zhvendosesh drejt tipologjisë së investimeve mbrojtëse, kjo sipas analistëve.
Lëndët e para nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një fitim i madh
Pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë, rekomandohet gjithashtu një pozicionim neutral në lidhje me tregun e mallrave. Sipas z. Sándor Dávid, Drejtor i Strategjive Multi-Asset, OTP Tregjet Globale, perspektivat afatgjata përcaktohen ndjeshëm nga sa kohë do të zgjasë lufta dhe çfarë dëmi ekonomik do të shkaktojë — gjë që që aktualisht është pothuajse e pamundur të parashikohet.
Edhe pse në skenarin më të keq, konflikti mund të përshkallëzohet më tej dhe çmimet e mallrave mund të vazhdojnë të rriten – z. Sándor Dávid sheh gjithashtu një rrugë të mundshme qetësimi e cila do të sillte një korrigjim të shpejtë, veçanërisht në tregjet e naftës dhe gazit natyror.
Sa i përket arit, ekspertët e OTP Bank theksojnë se ndërsa lufta sjell paqëndrueshmëri dhe rreziqe afatshkurtra, perspektiva afatgjatë mbetet pozitive. Kjo lidhet qartë me trendin global të defiçiteve të larta buxhetore dhe borxhit publik në rritje.
