Socialistët janë të vendosur dhe të prerë për të vijuar me Amnistinë Fiskale. Kryetari i grupit parlamentar z. Taulant Balla, është shprehur për mediat se nuk ka asnjë tërheqje mbi këtë nismë, madje po bëhen përgatitje për hapa të reja si komunikimi me ekspertët e delgacionit të BE-së dhe KE-së për të marrë mendimin e tyre se si duhet bërë kjo amnisti në Shqipëri.
“Nga ana jonë nuk ka asnjë lloj tërheqje në nevojën për t’i garantuar Shqipërisë që pas 30 viteve tranzicion dhe ndërsa bëhemi gati për një rrugëtim të ri na duhet të ndahemi me tranzicionin. Të gjitha vendet që kanë kaluar një fazë të tillë, si Italia e Greqia kanë ndërmarrë amnisti fiskale se ka të bëjë me kalimin në një fazë tjetër. Historia ka treguar se është domosdoshmëri”, tha ai.