Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham Albania) ka zhvilluar Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë në një vit të veçantë jubilear që shënon 25-vjetorin e krijimit të saj. Nga 40 anëtarët themelues në vitin 2000, AmCham numëron sot 276 kompani anëtare, ndër to një prani të rëndësishme të bizneseve amerikane që operojnë në tregun shqiptar.
Në fjalën e tij përpara Asamblesë, Drejtori Ekzekutiv i AmCham, z. Neritan Mullaj, prezantoi raportin vjetor mbi strukturën e anëtarësisë, veprimtarinë financiare dhe proceset lobuese të organizatës. Ai theksoi se viti 2025 ka qenë veçanërisht dinamik për Komitetet dhe ekspertët e Dhomës, të cilët janë angazhuar në çështje konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt klimën e biznesit në vend, me fokus në mbështetjen dhe fuqizimin e bizneseve amerikane.
Ndër temat kryesore të lobimit gjatë këtij viti, z. Mullaj veçoi: tarifat për lejet e zhvillimit, veçanërisht ato që ndikojnë projektet e energjisë së rinovueshme; faturimin e shërbimeve ndaj kompanive amerikane pa TVSH, çështje që mbështesin aktivitetin tregtar dypalësh; si dhe propozimin për heqjen e tarifave doganore për produktet me origjinë nga SHBA-të, që do të krijonte kushte më të favorshme për tregtinë ndërkombëtare dhe do të afirmonte Shqipërinë si partner strategjik të SHBA-së në rajon.
“Ne besojmë se një qasje e tillë do të krijonte kushte më të favorshme për tregtinë ndërkombëtare dhe do të afirmonte Shqipërinë si një partner ekonomik strategjik i SHBA-së në rajon,” – theksoi z. Neritan Mullaj, Drejtor Ekzekutiv i AmCham.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i AmCham, z. Grant Van Cleve, vuri në dukje rolin e organizatës në forcimin e marrëdhënieve ekonomike e politike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Amerika ka një rol qëndror në zhvillimet gjeopolitike në botë dhe shqiptarët, si kombi më pro amerikan, mund të mbështeten tek kjo miqësi. AmCham mund të marrë një rol thelbësor në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje,” – u shpreh z. Van Cleve, duke theksuar se Dhomës Amerikane i takon një rol i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit ekonomik Shqipëri–SHBA dhe në mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në emër të institucioneve shqiptare, Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, përshëndeti komunitetin e Dhomës duke vlerësuar bashkëpunimin me AmCham në nisma të rëndësishme si Open Banking dhe përfshirja e bizneseve në sistemin SEPA.
Znj. Ahmetaj theksoi nevojën që institucionet financiare dhe komuniteti i biznesit të shfrytëzojnë momentin e inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Asambleja e Përgjithshme shërbeu gjithashtu si moment zgjedhor për strukturat drejtuese të Dhomës. Pas një procesi transparent, anëtarët zgjodhën:
- President – z. Grant Van Cleve, Prodigy shpk (mandati i dytë)
- Sekretar – z. Dritan Nako, Titan Albania (mandati i dytë)
- Anëtarë Bordi – z. Pëllumb Kallaba, CWP Europe (Eralb Invest 2 shpk) dhe znj. Rovena Dhroso, Novartis Pharma Services Inc.
Procesi zgjedhor u zhvillua në frymë bashkëpunimi, duke reflektuar besimin e anëtarëve tek drejtimi aktual i organizatës dhe vizioni i saj për të ardhmen.
