Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm që të shtyjë miratimin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane”, me qëllim që të ketë kohë për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e biznesit, si dhe për të zhvilluar një proces të plotë konsultimi paralel për të dy projektligjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komision, mori pjesë një përfaqësi e lartë e Dhomës Amerikane, e përbërë nga zëvendëspresidenti Rexhino Çekrezi, sekretari Dritan Nako, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj dhe nënkryetari i Komitetit Ligjor dhe Rregullator, Ened Topi. Prezenca e tyre demonstroi interesin e lartë të AmCham për këtë projektligj dhe shqetësimin mbi kohën e kufizuar të konsultimit me grupet e interesit, që sipas Dhomës, mund të ndikojë jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në konkurrueshmërinë e industrive vendase.
Drejtori Ekzekutiv i AmCham, Neritan Mullaj, theksoi se projektligji për mbetjet urbane po shqyrtohet pa një proces paralel konsultimi me projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”. Ai nënvizoi se këto dy nisma janë organikisht të ndërlidhura dhe duhet të trajtohen në mënyrë të koordinuar, përndryshe disa nene të njërit ligj mund të përjashtojnë apo të bien ndesh me dispozitat e tjetrit, duke krijuar pasiguri ligjore dhe pengesa për biznesin.
Në të njëjtën linjë, Ened Topi, nënkryetar i Komitetit Ligjor dhe Rregullator të AmCham, solli shembuj konkretë të mbivendosjeve ligjore midis dy projektligjeve dhe theksoi domosdoshmërinë e harmonizimit paraprak. Ai vuri në dukje se që nga mënyra e nxjerrjes së akteve nënligjore (VKM) deri te nenet që rregullojnë trajtimin e mbetjeve nga prodhuesit, kërkohet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe një proces i mirëfilltë diskutimi me grupet e interesit.
Nga ana e tij, Dritan Nako, sekretar i Bordit të Dhomës Amerikane dhe përfaqësues i industrisë së çimentos, vlerësoi nismën e qeverisë për përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë të BE-së, por theksoi nevojën për ndryshime konkrete që ndihmojnë sektorin industrial. Ai kërkoi që në nenin 72 të draftligjit të përfshihet mundësia ligjore e importimit të lëndëve alternative nga “lista e gjelbër” e Katalogut Evropian, duke theksuar se kjo është e domosdoshme në kushtet kur vendi nuk ka burime të mjaftueshme të këtyre materialeve. Kjo praktikë, sipas tij, jo vetëm do të ulë varësinë nga lëndët djegëse fosile, por do të ndihmojë industrinë shqiptare të çimentos të realizojë deri në 40% të objektivave të dekarbonizimit të vendit, sipas rekomandimeve të OKB-së dhe Bankës Botërore.
AmCham e ka përfshirë këtë kërkesë edhe në rekomandimet e saj zyrtare drejtuar ministrive dhe komisioneve parlamentare, duke theksuar se importi përjashtimor i dy rrjedhave të listës së gjelbër do të kontribuonte në uljen e kostove për prodhuesit vendas, rritjen e efiçencës energjetike, nxitjen e eksporteve “Made in Albania” dhe shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Në përfundim, përfaqësuesit e Dhomës Amerikane apeluan për një proces më të gjerë, të koordinuar dhe transparent konsultimi, që do të garantojë jo vetëm standardet mjedisore të BE-së, por edhe stabilitetin ligjor dhe konkurrueshmërinë e biznesit shqiptar.

