Rënia e nivelit të vaksinimit ka rritur rastet me fruth. Shqetësimi ngrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë sipas së cilës shumë shtete nuk kanë arritur nivelet e imunizimit të para pandemisë.
As Shqipëria sipas Institutit të Shëndetit Publik deri në fund të vitit që lamë pas nuk e arriti mbulesën që i nevojitet çdo komuniteti për të parandaluar shpërthime të një prej sëmundjeve më ngjitëse.
Ndryshe nga shumë shtete në Evropë në Shqipëri nuk pati transmetim të qëndrueshëm të sëmundjes. Megjithëkëtë rastet e shfaqura sipas mjekëve treguan rëndësinë e vaksinimit.
Nga 213 persona që u testuan nga janari në dhjetor të vitit të shkuar u konfirmuan me fruth 49 raste, 24 prej të cilëve ishin të pavaksinuar.
Më shumë të prekur nga fruthi rezultuan mes moshës 2 deri në 4 vjeç dhe 5 deri në 9 vjeç me afro gjysmën e të prekurve.
Numri më i lartë i të sëmurëve ishte në Tiranë dhe në komunitete pa lidhje me njëri – tjetrin. Më shumë se gjysma kërkuan ndihmë të specializuar në spital, por fatmirësisht nuk pati humbje jete prej sëmundjes.
Fruthi përhapet lehtësisht kur një person i infektuar kollitet ose teshtin dhe shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe skuqje në të gjithë trupin.
Mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, komplikime dhe vdekje.