Ekipi i taskforcës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka qenë në të 12 qarqet e vendit ku janë kryer në total 238 kontrolle dhe janë marrë masa administrative për për të garantuar sigurinë ushqimore përgjatë sezonit veror.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në një postim në rrjetet sociale.
“Ushqimi i mirë, me larmishmëri e cilësi të lartë ka rëndësi të posaçme për konsumatorët tanë si dhe ofertën turistike shqiptare, ndaj për të mbrojtur konsumatorët gjatë sezonit veror, Task Forca për Sigurinë Ushqimore është në territor në mbikëqyrje të operatorëve të biznesit ushqimor të prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit”, tha Krifca.
Sipas Krifcës, kjo është një fushatë ndërgjegjësuese, por dhe kontroll për siguri ushqimore të lartë dhe mbrojtje të shëndetit për konsumatorët, pushuesit vendas e të huaj.
“Sjellim në vëmendje posaçërisht kontrollin e kryer në Korçë, ku u konstatuan sasi të produkteve në market ushqimor, në shkelje të rregullave, me modifikim të datës së skadencës së produkteve dhe tregtimit të tyre pa faturë shoqëruese blerjeje apo liçensë përkatëse. Për gjetjet në kundërshtim me ligjin, në bashkëpunim të plotë me Policinë, janë marrë masat ndëshkuese”, tha Krifca.
