Bankat britanike Barclays, Lloyds dhe NatWest pësuan rënie të çmimit të aksioneve pas lajmit se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të vendosë taksa të reja mbi sektorin për të mbuluar një boshllëk të madh në buxhet.
Bankat kryesore në MB panë që çmimi i aksioneve të tyre u godit ndjeshëm pas publikimit të lajmit për një taksë të re të propozuar mbi bankat. Aksionet e NatWest ranë me mbi 4.7% drejt mesditës në Evropë, Lloyds pësoi një rënie prej 4.5%, ndërsa Barclays humbi 3.7%. Kjo e tërhoqi poshtë edhe indeksin kryesor të aksioneve në Londër; FTSE 100 ra me gati 0.4% në momentin e raportimit.
“NatWest, Lloyds dhe Barclays ishin rënësit më të mëdhenj të FTSE 100 të premten në mëngjes, teksa investitorët pyeteshin nëse epoka e fitimeve të mëdha, dividentëve dhe blerjeve të aksioneve është tani në rrezik,” tha Russ Mould, drejtor i investimeve në AJ Bell.
Ideja për taksën e re erdhi nga një propozim i IPPR për qeverinë britanike të premten. Ata sugjerojnë që bankat tregtare të ngarkohen me pagesa për të kompensuar humbjet e programit të blerjes masive të obligacioneve qeveritare nga Banka e Anglisë — i njohur si “lehtësim sasior” (QE). Ky program, sipas raportit të IPPR, “do t’i kushtojë taksapaguesve 22 miliardë £ (25.4 miliardë €) çdo vit gjatë gjithë këtij parlamenti”.
Lehtësimi sasior është një instrument i politikës monetare që dha shtysë për ekonominë e MB dhe solli fitime të konsiderueshme për një kohë. Megjithatë, që nga dhjetori 2021, Banka e Anglisë ka rritur normën e interesit nga afër zeros në një maksimum prej 5.25% dhe kjo e dëmtoi programin, duke sjellë humbje nga normat e interesit. Think-tank-u tha në raportin e tij se qeveria mund të kompensojë pjesërisht humbjet duke zbatuar një “taksë mbi të ardhurat nga rezervat e QE-së” mbi bankat tregtare. Ende nuk është e qartë se ku qëndron qeveria mbi këtë çështje në momentin e shkrimit, por analistët thonë se kjo mund të ngufasë rritjen në MB.
“Çështja është nëse taksimi më i madh i bankave do të përfundojë duke penguar pikërisht atë rritje që qeveria dëshiron të nxisë, duke kufizuar kreditimin për bizneset dhe familjet,” tha Mould.
Megjithatë, opinioni publik mund të jetë mbështetës, duke pasur parasysh se “HSBC, Barclays, NatWest dhe Lloyds pritet të fitojnë rreth 44 miliardë £ (50.7 miliardë €) mes tyre globalisht në vitin 2025, viti i tyre i tretë më i mirë ndonjëherë, pas 2023 dhe 2024,” shtoi ai.
Drejtori i investimeve theksoi: “Këto kompani kanë përjetuar një ecuri të fortë në tregun e aksioneve vitet e fundit, dhe gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në dhënien e kredive për biznese të vogla dhe të mëdha, gjë që ndihmon në krijimin e vendeve të punës dhe mbështet ekonominë e MB.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
