Aksidentet rrugore në vitin 2024 u rritën me 29.6%, krahasuar me një vit më parë. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, vitin që lamë pas u shënuan 1666 aksidente me pasoja persona të lënduar, kundrejt 1285 aksidenteve të regjistruara në vitin 2023.
Dhjetori, i cili zakonisht është muaj i mbushur me aksidente rrugore, edhe për shkak të ngarkesës dhe periudhës së festave, në vitin 2024 shënoi më pak aksidente rrugore sesa në vitin 2023, 149 aksidente, kundrejt 157 të shënuar në vitin paraardhës.
Ndërkohë që aksidentet u rritën në nuëmr gjatë 2024, vdekshmëria ka shënuar rënie të konsiderueshme, pasi gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,5 për 100 aksidente, nga 14,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, në 89,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 0-24 dhe 25-34 vjeç, duke zënë secila nga 24,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Dhjetor 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Martë me 20,1 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Premte, me 10,1 %.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 26,2 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej. /ekofin.al