Tirana është qarku me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në Shqipëri, ndërsa Berati dhe Dibra regjistrojnë më pak ngjarje. Ndryshe nga perceptimi se shiu, bora apo errësira janë kushtet më të rrezikshme, statistikat tregojnë se pjesa dërrmuese e aksidenteve ndodhin gjatë ditës dhe në mot të thatë.
Sipas raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), “Statistika mbi Sigurinë Rrugore 2025”, gjatë vitit të kaluar në Shqipëri janë regjistruar 1.375 aksidente rrugore, nga 1.666 në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 17,5%.
Megjithatë, ulja e numrit të aksidenteve nuk është shoqëruar me një përmirësim të njëjtë të pasojave fatale. Numri i personave të vrarë në aksidente është rritur me 14,3%, ndërsa treguesi i vdekshmërisë ka arritur në 14,5 të vrarë për çdo 100 aksidente, nga 10,5 një vit më parë.
Tirana me më shumë aksidente, Berati me më pak
Të dhënat e INSTAT tregojnë diferenca të konsiderueshme në shpërndarjen gjeografike të aksidenteve rrugore.
Tirana kryeson me 447 aksidente, ose 32,5% të totalit kombëtar. Kjo do të thotë se pothuajse një në tre aksidente të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2025 ka ndodhur në qarkun e Tiranës.
Në vendin e dytë renditet Lezha me 169 aksidente, ose 12,3% të totalit, e ndjekur nga Korça me 134 raste dhe Fieri me 117 aksidente.
Në skajin tjetër të renditjes qëndron Berati, me vetëm 24 aksidente, ose 1,7% të totalit kombëtar. Pas tij renditen Dibra me 28 aksidente dhe Kukësi me 34 raste.
Aksidentet rrugore sipas qarqeve, 2025

Megjithatë, numri absolut i aksidenteve nuk është domosdoshmërisht treguesi më i mirë për të vlerësuar sigurinë rrugore të një qarku. Një pamje tjetër krijohet kur aksidentet krahasohen me numrin e mjeteve në qarkullim.
Sipas këtij treguesi, Lezha rezulton qarku me nivelin më të lartë, me 3,2 aksidente për 1.000 mjete, e ndjekur nga Gjirokastra me 2,8 dhe Korça me 2,6.
Ndërkohë, Berati dhe Durrësi regjistrojnë nivelin më të ulët, me nga 0,6 aksidente për 1.000 mjete, të ndjekur nga Elbasani me 0,8 dhe Dibra me 0,9.
Tirana, megjithëse kryeson për numrin total të aksidenteve, regjistron 1,2 aksidente për 1.000 mjete, nën mesataren kombëtare prej 1,3.
Ky krahasim tregon se përqendrimi më i madh i aksidenteve në Tiranë lidhet edhe me përmasat e qarkullimit rrugor, ndërsa qarqe si Lezha, Gjirokastra dhe Korça paraqesin një raport më të lartë aksidentesh ndaj mjeteve të regjistruara në qarkullim.
Paradoksi i motit: 88% e aksidenteve ndodhin në mot të thatë
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit lidhet me kushtet atmosferike.
Pavarësisht se reshjet e shiut, bora, ngricat dhe mjegulla konsiderohen faktorë që vështirësojnë drejtimin e automjetit, shumica dërrmuese e aksidenteve në Shqipëri ndodhin në kushte normale atmosferike.
Aksidentet sipas kushteve atmosferike, 2025

Plot 1.211 kanë ndodhur në mot të thatë, duke përbërë 88,1% të totalit.
Në kushte shiu ose lagështire janë regjistruar 160 aksidente, ose 11,6%, ndërsa vetëm katër aksidente kanë ndodhur në kushte bore, ngrice apo mjegulle.
Krahasuar me vitin 2024, aksidentet në mot të thatë kanë rënë nga 1.532 në 1.211 raste. Në të kundërt, aksidentet në shi ose lagështirë janë rritur nga 132 në 160.
Këto të dhëna tregojnë se kushtet e mira atmosferike nuk garantojnë shmangien e aksidenteve. Megjithatë, numri më i lartë i ngjarjeve në mot të thatë nuk do të thotë domosdoshmërisht se drejtimi në këto kushte është më i rrezikshëm, pasi statistikat nuk marrin parasysh vëllimin e trafikut dhe kohën e ekspozimit në secilin kusht atmosferik.
Ditën ndodhin dy herë më shumë aksidente sesa natën
Edhe shpërndarja sipas ndriçimit tregon se aksidentet rrugore janë më të përqendruara gjatë ditës.

Në vitin 2025, gjatë ditës janë regjistruar 891 aksidente, ose 64,8% e totalit. Gjatë natës kanë ndodhur 399 aksidente, ndërsa në agim dhe muzg janë regjistruar 85 raste.
Kjo do të thotë se numri i aksidenteve gjatë ditës është mbi dy herë më i lartë se ai gjatë natës.
Në krahasim me vitin 2024, aksidentet gjatë ditës kanë rënë nga 1.092 në 891, ndërsa ato gjatë natës nga 466 në 399.
Përqendrimi i aksidenteve gjatë ditës mund të lidhet me intensitetin më të lartë të lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve, por raporti nuk përmban të dhëna të detajuara mbi flukset e trafikut për të përcaktuar shkallën e këtij ndikimi.
E hëna dita me më shumë aksidente, mëngjesi intervali më problematik
Statistikat tregojnë se e hëna është dita me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në Shqipëri.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 231 aksidente të hënave, ose 16,8% e totalit. Pas saj renditet e premtja me 210 aksidente dhe e enjtja me 207.
Dita me më pak aksidente rezulton e mërkura, me 179 raste, e ndjekur nga e marta dhe e shtuna me nga 182 aksidente.
Sa i përket orarit, intervali 08:00–12:00 rezulton me numrin më të lartë të aksidenteve, me 298 raste, ose 21,7% të totalit.
Pas tij renditet intervali 14:00–17:00, me 269 aksidente, ndërsa nga ora 19:00 deri në mesnatë janë regjistruar 255 raste.
Intervali me më pak aksidente është 06:00–08:00, me 77 raste, megjithëse ky interval mbulon vetëm dy orë. /ekofin.al
