Siguria rrugore vijon të mbetet një problem serioz në Shqipëri, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë një përkeqësim të ndjeshëm të bilancit gjatë vitit 2026. Vetëm në korrik janë regjistruar 165 aksidente rrugore, nga 131 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ose rreth 26% më shumë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në aksidentet e korrikut mbetën të vrarë ose të plagosur 235 persona, kundrejt 194 personave në korrik 2025. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 21% të numrit të personave të aksidentuar brenda vetëm një viti.
Situata paraqitet shqetësuese edhe kur të dhënat shihen për një periudhë më të gjatë. Gjatë janar-korrikut 2026 në të gjithë vendin janë regjistruar 844 aksidente rrugore, nga 767 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Pra, numri i tyre është rritur me 10%.
Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur është rritur. Në shtatë muajt e parë të këtij viti rezultojnë 1,187 persona të aksidentuar, kundrejt 1,077 në janar-korrik 2025, një shtim prej rreth 10.2%.
Mbi 90% e aksidenteve lidhen me sjelljen e drejtuesve
Një prej treguesve më domethënës të raportit lidhet me shkaqet e aksidenteve. Sipas INSTAT, gjatë korrikut 2026, plot 90.3% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Në metodologjinë e publikimit, në këtë kategori përfshihen rastet kur drejtuesit nuk zbatojnë rregullat e Kodit Rrugor, si mosrespektimi i sinjalistikës, normave të shpejtësisë, frenimet e papritura dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.
Grupmosha 25-34 vjeç rezulton gjithashtu ajo me numrin më të lartë të aksidenteve, duke përfaqësuar 21.8% të totalit të regjistruar.

Të dhënat tregojnë edhe një përqendrim të aksidenteve në orët e mbrëmjes. Intervali 19:00-24:00 mban peshën më të madhe, me 25.5% të totalit të aksidenteve. Sipas ditëve të javës, e enjtja rezulton dita me numrin më të lartë, me 18.8% të aksidenteve, ndërsa e marta ka peshën më të ulët, me 12.1%.
Tirana, rritje e fortë e aksidenteve
Problematika bëhet edhe më e dukshme në Tiranë. Në korrik 2026 në kryeqytet janë regjistruar 59 aksidente, nga vetëm 37 në korrik të vitit të kaluar, ose rreth 59% më shumë. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve arriti në 74 persona, nga 48 një vit më parë.
Por rritja në Tiranë nuk kufizohet vetëm te një muaj. Në periudhën janar-korrik 2026 janë regjistruar 336 aksidente, kundrejt 219 në shtatëmujorin e parë të vitit 2025. Kjo do të thotë një rritje prej mbi 53%.
Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur në kryeqytet është rritur nga 287 në 419, ose me rreth 46%. Tirana përqendron kështu rreth 40% të të gjitha aksidenteve të regjistruara në Shqipëri gjatë shtatë muajve të parë të vitit.
Rritje të fortë gjatë korrikut ka pasur edhe Fieri, ku aksidentet u shtuan nga 8 në 20, ndërsa në Gjirokastër u rritën nga 4 në 15. Në këtë të fundit, numri i personave të vrarë dhe të plagosur u dyfishua, nga 16 në 32.
Në kahun tjetër, disa qarqe kanë shënuar përmirësim në bilancin shtatëmujor. Në Shkodër aksidentet ranë nga 68 në 38, në Korçë nga 73 në 57, ndërsa në Lezhë nga 106 në 94.
Të dhënat e shtatëmujorit tregojnë se rritja e aksidenteve nuk është thjesht një luhatje e izoluar mujore. Me 844 aksidente dhe afro 1,200 persona të vrarë ose të plagosur në vetëm shtatë muaj, bilanci i vitit 2026 sinjalizon një përkeqësim të sigurisë rrugore, ndërsa fakti që mbi 90% e aksidenteve të korrikut lidhen me sjelljen e drejtuesve e zhvendos vëmendjen drejtpërdrejt te respektimi i rregullave, shpejtësia dhe kontrolli në rrugë.
INSTAT sqaron se të dhënat e publikuara për muajin e fundit janë paraprake dhe mund të rishikohen. Burimi i informacionit është Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit./ekofin.al
