Fundi i gushtit po shënon edhe fazën e fundit të një sezoni turistik intensiv për Shqipërinë, me flukse të larta vizitorësh, trafik të shtuar në rrugë dhe përdorim më të madh të mjeteve lundruese dhe aktiviteteve sportive në zonat bregdetare e liqenore. Por krahas bilancit të turistëve dhe të ardhurave që turizmi ka sjellë në ekonomi, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë tërheq vëmendjen edhe te një tjetër bilanc: aksidentet dhe incidentet e regjistruara gjatë sezonit.
Në një mesazh ndërgjegjësues në fund të sezonit veror, Shoqata sjell në fokus rreziqet që shoqërojnë përdorimin e mjeteve ujore dhe rëndësinë e sigurimit për përballimin e pasojave financiare të një aksidenti.
Rasti më i fundit është përplasja e dy Jet Ski-ve në Liqenin e Kukësit më 24 gusht, ku dy persona mbetën të dëmtuar lehtë. Ngjarja rikthen në vëmendje një problem që përsëritet pothuajse çdo sezon veror, kur përdorimi i mjeteve lundruese shtohet ndjeshëm dhe bashkë me të rritet edhe ekspozimi ndaj aksidenteve.
Gjatë sezonit janë raportuar edhe incidente të tjera me mjete lundruese, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë në raste kur Jet Ski apo mjete të tjera kanë shkelur zonat e përcaktuara të sigurisë për pushuesit.
Pikërisht në këtë kontekst, Shoqata e Siguruesve shtron një pyetje që merr rëndësi të veçantë gjatë muajve të verës: sa të siguruar janë qytetarët dhe operatorët për rreziqet që marrin përsipër?
Sigurimi, siç nënvizon Shoqata, nuk mund ta parandalojë një aksident, por mund të luajë një rol të rëndësishëm në përballimin e pasojave financiare pasi ai ka ndodhur.
Për mjetet e vogla lundruese ekziston sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë ndaj palëve të treta. Ky sigurim synon të mbulojë përgjegjësinë për dëmet që mund t’u shkaktohen personave të tretë gjatë përdorimit të mjetit, në përputhje me kushtet dhe kufizimet e përcaktuara nga legjislacioni dhe kontrata e sigurimit.
Çështja merr një rëndësi edhe më të madhe në kushtet kur turizmi shqiptar po zgjerohet dhe bashkë me numrin e vizitorëve po shtohen edhe aktivitetet që lidhen me detin, liqenet, sportet ujore dhe aventurën. Më shumë aktivitet ekonomik dhe turistik do të thotë njëkohësisht edhe më shumë ekspozim ndaj rrezikut, duke e bërë sigurimin pjesë të rëndësishme të menaxhimit të tij.
Shoqata e Siguruesve thekson se reflektimi në fund të sezonit nuk duhet të kufizohet vetëm te Jet Ski-t apo mjetet e tjera lundruese. Vera sjell një gamë shumë më të gjerë rreziqesh, që lidhen me automjetet, pronën, shëndetin dhe aksidentet personale.
Për këtë arsye, fundi i sezonit mund të shërbejë edhe si një moment për të vlerësuar nëse individët dhe bizneset kanë pasur mbulimin e duhur për aktivitetet dhe rreziqet ndaj të cilave janë ekspozuar.
Mesazhi i Shoqatës së Siguruesve është se një sezon turistik i suksesshëm nuk duhet të matet vetëm me numrin e turistëve, net-qëndrimet apo të ardhurat e gjeneruara. Siguria e pushuesve dhe aftësia për të përballuar financiarisht pasojat e ngjarjeve të paparashikuara janë gjithashtu pjesë e këtij bilanci.
Aksidentet e regjistruara këtë verë shërbejnë në këtë mënyrë si një tjetër kujtesë se kujdesi dhe respektimi i rregullave mbeten linja e parë e mbrojtjes, ndërsa sigurimi është mekanizmi që ndihmon në administrimin e pasojave kur rreziku materializohet. /ekofin.al
