Koncesionari njofton se nga 4 janari i vitit 2025 nis aplikimi i tarifës për segmentin rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu. Ky aks i ri ofron një përvojë udhëtimi më të sigurtë, të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë.
Më herët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.
Thumanë – Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës.
Korridori Adriatiko-Jonian, ku bën pjesë edhe aksi Thumanë-Kashar, është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1 550 km. 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.

