Duket si një epidemi, por AKSHI-t po i dështojnë një e nga një procedurat e prokurimit. Thuajse të gjjthë tenderat e AKSHI-t ankimohen në KPP, pastaj procedura mbetet e ngrirë për muaj të tërë, me vonesa të pajustikuara dhe të pashpjegueshme. Në rastin më të fundit, tenderi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për përmirësimin e platformës së shërbimit konsullor online ka dështuar, pasi nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurë, sipas njoftimit të anulimit, të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik.
Këtë herë, për një procedurë të hapur që në maj 2025, të shtyrë, e pastaj të rihapur, AKSHI, këtë me drejtim të ri, me Drejtor Igli Tafën, nuk ka pritur të shkohet në ankimim, por e ka anuluar vetë procedurën.
Bëhet fjalë për një tender me fond limit prej 205,106,800 lekësh pa TVSH, ose rreth 2.09 milionë euro, i cili synonte modernizimin e platformës SHKO, sistemi që përdoret nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe rrjeti i misioneve diplomatike për ofrimin e 33 shërbimeve konsullore online përmes portalit e-Albania. Nga kjo shumë, 140,306,800 lekë ishin planifikuar për implementimin dhe 64,800,000 lekë për mirëmbajtjen e sistemit.
Platforma SHKO përfshin një gamë të gjerë shërbimesh konsullore të ofruara plotësisht online përmes portalit e-Albania, duke mbuluar procedura që lidhen me shtetësinë, dokumentet e identitetit, gjendjen civile dhe shërbimet noteriale. Në mënyrë të përmbledhur, ajo mundëson aplikime për pasaportë dhe kartë identiteti, regjistrime dhe certifikata të lindjes, martesës dhe vdekjes, si dhe veprime që lidhen me shtetësinë shqiptare, përfshirë rifitimin apo heqjen dorë prej saj.
Gjithashtu, platforma ofron shërbime të ndryshme konsullore dhe noteriale si prokura, deklarata, vërtetime të të dhënave personale, autentifikim nënshkrimi dhe njësim dokumentesh me origjinalin. Një pjesë e rëndësishme lidhet edhe me legalizimin dhe përkthimin e dokumenteve, si dhe me shërbime specifike si leje martese, leje transporti për trup apo hir, apo vërtetime për leje drejtimi dhe gjendje gjyqësore.
Dokumentet e tenderit parashikonin jo vetëm zhvillimin e moduleve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese, por edhe zgjerimin e infrastrukturës teknologjike, migrimin e të dhënave, ndërveprimin me sisteme të tjera shtetërore dhe mirëmbajtjen për një periudhë prej 33 muajsh.
Sa u përket kritereve të vendosura për operatorët ekonomikë: për kapacitetin financiar dhe teknik të operatorëve, kërkohej që xhiroja e tyre të ishte jo më e vogël se 40% e fondit limit, si dhe eksperiencë të mëparshme të ngjashme në të njëjtin nivel. Po ashtu, kërkoheshin certifikime ndërkombëtare si ISO 9001 për menaxhimin e cilësisë, ISO 20000-1 për shërbimet IT dhe ISO 27001 për sigurinë e informacionit, si dhe një numër i lartë specialistësh në fushë, çka mund të ketë ngushtuar ndjeshëm rrethin e operatorëve potencialë.
Dështimi i këtij tenderi ngre pikëpyetje mbi nivelin e konkurrencës në prokurimet publike në sektorin e teknologjisë së informacionit, por edhe mbi përshtatshmërinë e kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktor, si edhe luftën që ekziston mes operatorëve, e ekspozuar edhe në përgjimet e SPAk. /ekofin.al

