Në vitin 2022 Shqipëria pritet të nisë procesin e kalimit në gjeneratën e ardhshme të komunikimeve celulare, 5G. Sipas analizave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kalimi në 5G pritet të ketë ndikime të rëndësishme në disa sektorë të ekonomisë dhe shoqërisë.
Një nga sektorët ku zhvillimi i teknologjisë pritet të ketë ndikim të shpejtë është mjekësia. Telemjekësia mund të revolucionarizojë marrëdhënien mes mjekut dhe pacientit dhe do të mundësojë kujdes më të mirë mjekësor në të gjitha zonat e Shqipërisë. Mbulimi me staf dhe shërbim të specializuar mjekësor jashtë qendrave të mëdha urbane në Shqipëri ngelet një problem shumë i madh dhe këtu teknologjia mund të ndihmojë.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e specialistëve në klinikat virtuale dhe transferimi i të dhënave të pacientëve në klinikë, mund të krijojë një ndihmë mjekësore urgjente më efikase. Digjitalizimi ka arritur tashmë në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe mjekësinë në të gjitha fushat e tij funksionale, ndaj teknologjia 5G mund të përmirësojë ofrimin e kujdesit mjekësor cilësor, duke siguruar njëkohësisht privatësinë e informacionit shëndetësor të secilit pacient.
Pandemia vuri gjithashtu në dukje domososhmërinë për të adoptuar më shumë teknologjinë në sektorin arsimor, sidomos në drejtim të formave të mësimdhënies në distancë. Përmirësimet e drejtuara nga 5G të tilla si realiteti i shtuar dhe virtual në sektorin arsimor dhe mediat e ardhshme do të rrisin në mënyrë drastike kërkesën për kapacitete mobile me brez të gjerë.
Pjesëmarrja interaktive në sesionet e mësimdhënies me aplikacione multimediale po bëhet gjithnjë e më popullore, dhe 5G lejon përvoja krejtësisht të reja në këtë fushë. Përdorimi formave dixhitale të mësimdhënies do të lehtësojë më tej prirjen drejt individualizimit të mësimdhënies pavarësisht nga vendi dhe koha.