Pas procedurës tenderuese më herët këtë vit, AKEP ka miratuar dhënien e autorizimit për dy kompanitë e telekomunikacionit “ONE ALBANIA” dhe “VODAFONE ALBANIA”, ku i pari do të marrë në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz (spektër i paçiftuar), ndërsa Vodafone Albania sh.a merr në përdorim po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz, spektër i paçiftuar.
Të dyja kompanitë detyrohen të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030.
Ndërsa, brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike.
Për të rritur konkurrencën në nivel shërbimesh kompanitë do të duhet të negociojnë me sipërmarrës të tjerë, si operatorët virtualë (MVNO-të), aksesin në kapacitetet e tyre radio.
Sipas njoftimit të AKEP, lançimi i teknologjisë 5G brenda këtij viti e bën Shqipërinë një nga brezat pionerë të këtij shërbimi. Në Bashkimin Evropian, Mbretëria e Vendeve të Ulëta ishte shteti i fundit anëtar që akordoi në korrik të 2024-ës autorizimet e përdorimit në këtë brez.
Së shpejti do të vendoset në përdorim edhe brezi 700MHz, pas lirimit të tij nga mediat audiovizuale, me synim mbulimin e plotë të territorit dhe të popullsisë me shërbim cilësor 5G. /ekofin.al
