Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur për këshillim publik Rregulloren e re për zbatimin e Regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm, e cila shfuqizon zyrtarisht rregulloren e vitit 2017 dhe shënon një ndryshim të thellë në mënyrën se si rregullohet tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri.
Rregullorja e re mbështetet në ligjin nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike”, i cili ka përafruar kuadrin shqiptar me Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike (EECC) dhe reflekton zhvillimet e dekadës së fundit në tregun digjital.
Ndryshe nga rregullorja e vitit 2017, e cila kishte një qasje kryesisht formale ndaj regjistrimit të operatorëve, rregullorja e re ndërton një regjim funksional autorizimi, ku theksi vihet te transparenca, kapacitetet reale operacionale, siguria e rrjeteve, si edhe mbrojtja e përdoruesve dhe e të dhënave personale.
Një nga risitë më të rëndësishme është kalimi i plotë drejt njoftimit elektronik, përmes sistemit online të AKEP, duke reduktuar ndjeshëm procedurat fizike dhe rritur gjurmueshmërinë administrative.
Rregullorja e re fut për herë të parë Certifikatën e Konfirmimit, një dokument zyrtar i AKEP që provon regjistrimin e operatorit në Regjistrin e Autorizimit të Përgjithshëm.
Kjo certifikatë përmban rrjetet dhe shërbimet e autorizuara,
zonën gjeografike të ofrimit, si dhe kushtet e përgjithshme dhe specifike të zbatueshme.
Në rregulloren e vitit 2017 një dokument i tillë nuk ekzistonte, çka shpesh krijonte paqartësi ligjore për operatorët, institucionet publike dhe palët e treta.
Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me përditësimin dhe zgjerimin e listës së rrjeteve dhe shërbimeve që mund të ofrohen nën regjimin e autorizimit të përgjithshëm.
Për herë të parë rregullorja përfshin qartësisht:
• shërbimet Makinë-me-Makinë (M2M),
• shërbimet e rishitjes,
• shërbimet e aksesit në internet (IAS),
• linjat me qira,
• rrjetet e emergjencave,
• rrjetet satelitore dhe hibride.
Ky klasifikim e afron kuadrin shqiptar me realitetin e tregut digjital dhe zhvillimet në fushën e IoT, broadband-it dhe shërbimeve të avancuara.
Në përputhje me standardet e BE-së, rregullorja e re përjashton shprehimisht nga regjimi i autorizimit shërbimet e komunikimit ndërpersonal të pavarura nga numrat, si platformat OTT që nuk lidhen me numeracionin publik.
Ky sqarim mungonte në rregulloren e vitit 2017 dhe ka rëndësi të veçantë për kufijtë rregullatorë mes telekomit klasik dhe shërbimeve digjitale globale.
Ndryshe nga kuadri i mëparshëm, rregullorja e re vendos kritere më të detajuara për kapacitetet e operatorëve, përfshirë staf teknik të kualifikuar, dokumentacion për kualifikimet profesionale, strukturë organizative funksionale, si edhe plane sigurie për rrjetet dhe për situata emergjente.
Qasja e re synon të sigurojë që në treg të operojnë subjekte realisht funksionale dhe jo vetëm formalisht të regjistruara.
AKEP parashikon krijimin dhe mirëmbajtjen e një baze elektronike publike, ku do të publikohen të dhënat kryesore për operatorët e autorizuar, rrjetet, shërbimet dhe shtrirjen e tyre gjeografike.
Kjo risi forcon transparencën dhe i shërben si konsumatorëve, ashtu edhe institucioneve dhe investitorëve.
Një element me ndikim praktik është dispozita kalimtare që detyrion të gjithë operatorët e regjistruar sipas rregullores së vjetër të vitit 2017 të ri-njoftojnë brenda 3 muajve, për t’u pajisur me Certifikatën e re të Konfirmimit.
Kjo do të thotë se tregu do të kalojë një proces formal “rifreskimi” dhe pastrimi të regjistrit ekzistues.
Në thelb, rregullorja e vitit 2025 nuk përbën thjesht një përditësim teknik, por një ndryshim filozofie: nga një regjim deklarativ dhe formal, drejt një kuadri modern, digjital dhe të harmonizuar me Bashkimin Evropian.
Për operatorët e komunikimeve elektronike, kjo nënkupton më shumë detyrime, por edhe më shumë qartësi, siguri juridike dhe rregulla loje të barabarta në treg. /ekofin.al
