Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Mbi masat organizative dhe teknike për garantimin e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike”. Drafti, i miratuar për konsultim nga Këshilli Drejtues me vendimin nr. 24, datë 3 nëntor 2025, synon të përditësojë kuadrin e sigurisë në sektorin e komunikimeve, në përputhje me ligjin e ri nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Rregullorja e re detyron të gjithë operatorët që ofrojnë rrjete ose shërbime publike të komunikimeve elektronike të marrin masa teknike dhe organizative për të parandaluar incidentet e sigurisë dhe për të minimizuar ndikimin e tyre ndaj përdoruesve. Këto masa përfshijnë garancinë e funksionimit të pandërprerë të rrjeteve, mbrojtjen e konfidencialitetit dhe integritetit të të dhënave dhe raportimin në kohë të çdo incidenti sigurie ndaj AKEP-it dhe autoritetit përgjegjës për sigurinë kibernetike.
Rregullorja do të zbatohet për të gjithë sipërmarrësit që operojnë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun në territorin e Shqipërisë.
Operatorët do të jenë të detyruar të hartojnë politika të brendshme sigurie, të miratuara dhe të përditësuara rregullisht; të përgatisin planin e vazhdimësisë së shërbimit për t’u aktivizuar në rast incidentesh; të caktojnë person përgjegjës për sigurinë, që do të jetë kontakti kryesor me AKEP; si edhe informojnë përdoruesit për rreziqe të veçanta, veçanërisht në rastet e cënimit të të dhënave personale.
Në rast shkeljesh apo mosraportimi, AKEP ka të drejtë të kërkojë auditim të pavarur të sigurisë dhe të vendosë masa administrative, përfshirë gjoba sipas ligjit për komunikimet elektronike.
Bazuar në draftin e publikuar në konsultim publik, operatorët duhet të njoftojnë AKEP-in brenda 24 orëve nga zbulimi i një incidenti sigurie që ka ndikim mesatar ose të lartë në funksionimin e rrjeteve apo shërbimeve. Përveç njoftimit fillestar, brenda 10 ditëve pune duhet dorëzuar raporti përfundimtar me të dhënat e verifikuara dhe masat e marra.
Incidentet që duhet të raportohen përfshijnë sulmet DoS/DDoS, komprometimin e sistemeve, modifikimet e paautorizuara të të dhënave dhe infeksionet nga softuerë të dëmshëm. Gjithashtu, operatorët kanë detyrim të njoftojnë përdoruesit e tyre për çdo ndërprerje shërbimi më të gjatë se 30 minuta, si dhe për çdo cenim të të dhënave personale që ndikon në privatësinë e pajtimtarëve.
Autoriteti do të luajë një rol kyç në koordinimin me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, Komisionin Evropian dhe Agjencinë Evropiane për Rrjetet dhe Sigurinë e Informacionit (ENISA), për raportimin e incidenteve të rëndësishme dhe shkëmbimin e informacionit ndërkombëtar. AKEP gjithashtu do të bashkëpunojë ngushtë me Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të siguruar që operatorët të zbatojnë standardet e sigurisë në përpunimin e të dhënave personale.
Rregullorja përfshin një aneks të gjerë teknik, që detajon 20 kategori masash sigurie, duke filluar nga:
•politikat e sigurisë dhe menaxhimi i rrezikut kibernetik,
•trajnimet për stafin,
•menaxhimi i incidenteve dhe auditimet periodike,
deri tek kërkesat për autentifikim shumëfaktorësh (MFA), enkriptim të detyrueshëm të të dhënave, segmentim të rrjetit, zbatimin e SIEM dhe DLP, dhe krijimin e planeve të rikuperimit pas fatkeqësive (DRS). /ekofin.al
