Sot në Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat u diskutua draft-raporti i Kontrollit Post-Legjislativ për ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i cili analizon në mënyrë të detajuar zbatimin dhe efektet e këtij ligji, veçanërisht në lidhje me duhanin dhe produktet e duhanit. Raporti synon të vlerësojë nëse ligji ka arritur objektivat e tij fiskale, ekonomike dhe shëndetësore, si dhe të identifikojë problematikat dhe nevojat për përmirësim në politikat e taksimit të këtyre produkteve.
Dokumenti është hartuar në kuadër të mekanizmit të Kontrollit Post-Legjislativ, një instrument i ri i mbikëqyrjes parlamentare që synon të vlerësojë se si zbatohen në praktikë ligjet e miratuara dhe nëse ato kanë prodhuar efektet e synuara. Përmes këtij procesi, Kuvendi analizon jo vetëm nivelin e zbatimit të dispozitave ligjore, por edhe ndikimin e tyre në ekonomi, treg dhe shoqëri, duke krijuar një bazë për ndryshime të mundshme ligjore dhe përmirësim të politikave publike.
Ligji për akcizat, i miratuar në vitin 2012 dhe i ndryshuar disa herë gjatë viteve të fundit, përbën bazën kryesore të sistemit të taksimit për produktet e akcizës në Shqipëri, përfshirë duhanin dhe nënproduktet e tij. Raporti evidenton se gjatë periudhës 2012-2025 politika fiskale ndaj duhanit është karakterizuar nga rritje graduale të akcizës dhe nga një përpjekje për ta harmonizuar sistemin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian. Në këtë periudhë, niveli i akcizës për cigaret është rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 3,500 lekë për 1000 cigare në vitin 2013 në rreth 7,500 lekë në vitin 2025, çka përfaqëson një rritje kumulative prej mbi 100%.
Sipas analizës së raportit, kjo rritje e akcizës ka qenë dukshëm më e lartë se inflacioni gjatë të njëjtës periudhë, duke sjellë një rritje reale të barrës fiskale mbi produktet e duhanit. Politika e ndjekur ka synuar njëkohësisht dy objektiva kryesore: rritjen e të ardhurave fiskale për buxhetin e shtetit dhe dekurajimin e konsumit të duhanit, veçanërisht tek grupmoshat e reja, në përputhje me politikat e shëndetit publik.
Një tjetër element i rëndësishëm i analizës lidhet me përfshirjen në sistemin e akcizës të produkteve alternative të duhanit, si cigaret elektronike dhe produktet me duhan të ngrohur. Raporti thekson se këto produkte janë përfshirë gradualisht në skemën e taksimit që nga momenti kur kanë hyrë në treg, me qëllim shmangien e boshllëqeve fiskale dhe ruajtjen e neutralitetit të politikës së taksimit.
Komisioni ka rekomanduar gjithashtu që të rritet më tej parashikueshmëria sa i përket ndryshimeve të akcizës edhe për produktet alternative.
Gjithashtu, përtej kalendarëve të rritjes së akcizës për produktet e duhanit, në linjë kjo edhe me rekomandimet e OBSH, duhet që të ketë edhe një diferencim, në mënyrën sesi trajtohen këto produkte edhe në kontekstin lokal.
Dokumenti evidenton edhe një sërë sfidash që lidhen me administrimin e akcizës, luftën kundër kontrabandës dhe ndikimin e politikave fiskale në tregun e produkteve të duhanit. Në raport trajtohen gjithashtu problematikat e operatorëve ekonomikë dhe të përpunuesve vendas të duhanit, si dhe ndikimi që kanë pasur politikat fiskale tek fermerët kultivues.
Një çështje tjetër e rëndësishme është procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian. Aktualisht, niveli i akcizës në Shqipëri mbetet më i ulët se minimumi i kërkuar nga BE, çka do të kërkojë rritje të mëtejshme në vitet e ardhshme për të përmbushur detyrimet që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Draft-raporti përfundon me një sërë rekomandimesh për përmirësimin e politikave fiskale, forcimin e administrimit dhe kontrollit të tregut, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Diskutimi i këtij dokumenti në Komisionin e Ekonomisë shënon një hap të rëndësishëm në vlerësimin e politikave të akcizës në vend dhe në orientimin e reformave të ardhshme në këtë sektor. /ekofin.al

