Auditimi tematik “Projektet kërkimore-shkencore të realizuara nga Akademia e Shkencave, në nxitjen e përparimit shkencor, teknologjike dhe inovacionit, për të mirën e vendit” ka krijuar një përplasje të fortë mes Akademisë së Shkencave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka vënë në vështirësi edhe grupin e auditimit.
Sipas raportit të KLSH-së, auditimi ka pasur si objektiv kryesor vlerësimin e procesit administrativ të ASH sa i përket aplikimit, shqyrtimit dhe miratimit të projekteve dhe kërkimeve shkencore të financuara prej saj, si edhe transparencën e procesit të realizimit të projekteve e kërkimeve shkencore. Periudha objekt auditimi ka qenë 2019 – 2023.
Në fazën studimore Akademia e Shkencave fillimisht ka kërkuar shtyrjen e auditimit me pretendimin se: ASHSH i janë bashkuar institutet e shkencave albanologjike.
Në vijim, ka pasur një vendim të Asamblesë së ASHSH (me nr. 44, datë 22.04.2024) dhe Bordit të Drejtorëve (me nr. 518, datë 09.04.2024), që arrijnë në konkluzionin e tyre se “auditimi i performancës së kërkimit shkencor e posaçërisht rezultateve të tij është atribut i vetëm i komunitetit shkencor dhe kryhet nëpërmjet ballafaqimit e debatit shkencor e aktiviteteve shkencore e botimeve të specializuara e nga struktura të ngritura posaçërisht për akreditimin dhe rankimin e njësive kërkimore e shkencore.
Çdo forme tjetër kontrolli i programit, produktit e metodologjisë shkencore, veçanërisht i ushtruar nga organet e administratës shtetërore përbën cenim të hapur të lirive akademike në kërkimin shkencor…”.
Edhe në praktika të tjera të mëvonshme, administrative e shkresore, nga ana e ASHSH është pretenduar se auditimi i performancës cenon haptazi lirinë akademike, duke krijuar kushte kufizimi dhe bllokimi të procesit dhe veprimtarisë audituese në terren për fazën studimore dhe të punës në terren.
Neglizhencat, vonesat, pengesat dhe refuzimet për t’iu nënshtruar procedurave normale të auditimit, si dhe vënien në dispozicion të audituesve të autorizuar të KLSH-së të dokumentacionit të kërkuar, kanë krijuar pengesa në lidhje me përmbushjen në afat të objektit të auditimit të projekteve kërkimore- shkencore, thuhet në raport.
Mosvënia në dispozicion e disa informatave dhe të dhënave me karakter financiar dhe administrativ, me pretendimin e shkeljes së lirisë dhe autonomisë akademike, gjatë fazës studimore, ka krijuar pengesa dhe kufizime në fushëveprimin e auditimit nga zyrtarët përgjegjës të ASHSH, gjë që ka kërkuar më shumë kohë për grupin e auditimit për hartimin e programit të auditimit, kjo edhe për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të informacioneve të kërkuara nga grupi i auditimit, thekson raporti. /ekofin.al
