Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) vijon sezonin e dytë të nismës “Investor Support Days 2025”, duke zhvilluar këtë herë “Ditën e Investitorëve të Mbretërisë së Bashkuar”, në bashkëpunim me Dhomën Britanike të Tregtisë në Shqipëri (BCCA).
Takimi synoi forcimin e dialogut me bizneset britanike që operojnë në vend dhe nxitjen e investimeve të reja në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të kompanive me kapital britanik, institucioneve qeveritare dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët zhvilluan diskutime të hapura mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Përfaqësuesit e bizneseve ndanë përvojat e tyre lidhur me mjedisin e investimeve në Shqipëri, duke vlerësuar potencialin e lartë që ofron vendi në turizëm, energji, shëndetësi dhe shërbime, por edhe duke evidentuar nevojën për thjeshtim të procedurave administrative dhe më shumë qartësi ligjore për investitorët e huaj.
Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, theksoi se vëllimi tregtar mes dy vendeve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke reflektuar interesin në zgjerim të kompanive britanike që operojnë në Shqipëri.
“Interesi për investime nga Mbretëria e Bashkuar po rritet veçanërisht në sektorët e energjisë së rinovueshme, shëndetësisë dhe transportit. Shqipëria po konsolidohet si një destinacion i qëndrueshëm dhe me potencial të lartë për bizneset që kërkojnë rritje afatgjatë në rajonin e Ballkanit,” – u shpreh znj. Saro.
Ajo nënvizoi gjithashtu se nisma “Investor Support Days” po kthehet në një platformë të qëndrueshme komunikimi mes institucioneve dhe investitorëve, duke ndihmuar në zgjidhjen praktike të shqetësimeve të tyre dhe në krijimin e një ekosistemi më miqësor ndaj biznesit të huaj.
Në fjalën e tij, Zv. Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu, theksoi se përputhja graduale e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian mbetet një element kyç për forcimin e besimit të investitorëve të huaj.
“Nëse duam të sigurojmë një mjedis më të parashikueshëm dhe më të besueshëm për investimet, duhet të ecim me ritme të qëndrueshme drejt harmonizimit të plotë të kuadrit ligjor dhe institucional me standardet e BE-së,” – theksoi ai.
Musabelliu shtoi se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit është duke punuar në përmirësimin e procedurave digjitale për lehtësimin e ndërveprimit të investitorëve me administratën, si pjesë e agjendës së re të “Qeverisjes Dixhitale dhe Pro Investimeve 2026”.
Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, znj. Julia Sutherland, Zv. Ambasadore Britanike në Tiranë, përgëzoi AIDA-n për organizimin e kësaj nisme dhe për rolin e saj në forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investuese mes dy vendeve.
“Këto takime janë thelbësore për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis institucioneve dhe komunitetit të biznesit. Shqipëria ka bërë hapa domethënës drejt përmirësimit të klimës së investimeve dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim këtë rrugëtim,” – u shpreh znj. Sutherland.
Takimi i dedikuar “Ditës së Investitorëve të Mbretërisë së Bashkuar” shënon një tjetër hap konkret në thellimin e partneritetit strategjik ekonomik Shqipëri–Britani e Madhe, duke dëshmuar gatishmërinë e të dyja palëve për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në fusha si energjetika, infrastruktura, teknologjia dhe turizmi.
Nisma “Investor Support Days 2025” do të vijojë në javët në vijim me “Ditën e Investitorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke mbyllur ciklin e dytë të takimeve për këtë vit, të cilat tashmë janë konsoliduar si një mekanizëm dialogu dhe bashkëpunimi praktik ndërmjet investitorëve të huaj dhe institucioneve shqiptare./ekofin.al








