Në kuadër të Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, zhvilluar sot në Romë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe SIMEST S.p.A firmosën një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) që synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve italiane dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta mes dy vendeve. Ky dokument i ri vjen si një konfirmim i rolit kyç që Italia ka për ekonominë shqiptare dhe si një instrument shtesë për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe në fushën e investimeve dhe zhvillimit.
Memorandumi parashikon shkëmbimin e informacionit mbi mundësitë e investimit, promovimin e përbashkët të potencialeve ekonomike të Shqipërisë, si dhe koordinimin e veprimeve për të ndihmuar bizneset italiane dhe shqiptare të eksplorojnë fusha të reja bashkëpunimi. Nënshkrimi i tij vendos një bazë të qartë për rritje të prezencës italiane në Shqipëri, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm të Italisë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.
Italia, partneri ekonomik historik i Shqipërisë
Italia është prej dekadash partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, si në investime ashtu edhe në tregti. Me mbi 3,600 biznese italiane të regjistruara aktualisht në Shqipëri — që nga industria fason deri tek prodhimi, shërbimet, energjia, logjistika dhe teknologjia — Italia mbetet vendi që ka shtrirjen më të gjerë të sipërmarrjeve në vendin tonë.
Ndikimi italian në ekonominë shqiptare është i dukshëm në shumë sektorë si në industrinë përpunuese, ku kompanitë italiane janë motor kyç i punësimit; në industrinë energjetike, me projekte strategjike dhe konsorciume të mëdha që operojnë prej vitesh; në sektorin bankar e financiar, përmes investitorëve të rëndësishëm institucionalë; si edhe në arsimin profesional dhe transferimin e dijeve, ku programet italo-shqiptare kanë transformuar profilin e tregut të punës.
Ky intensitet ekonomik është pasqyruar edhe në mbështetjen institucionale që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë viteve, përfshirë projektet e zhvillimit, asistencën e vazhdueshme në disa fusha, si dhe procesin e integrmit evropan.
Shkëmbimet tregtare Shqipëri–Itali: Partneriteti më i fuqishëm në rajon
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, Italia renditet si partneri numër një tregtar i Shqipërisë, me një volum të shkëmbimeve që kap vlera miliardëshe çdo vit.
Eksportet shqiptare drejt Italisë përbëjnë rreth 30–32% të totalit të eksporteve, të dominuara nga tekstilet dhe këpucët, produktet minerale, energjia elektrike dhe materialet e ndërtimit.
Importet nga Italia mbulojnë rreth 25% të totalit të importeve dhe përfshijnë makineri, pajisje industriale, materiale elektrike, ushqime, automjete dhe produkte kimike.
Italia, me diferencë të ndjeshme nga partnerët e tjerë, mbetet ekonomia që ka lidhjen më të qëndrueshme dhe më të thellë me tregun shqiptar. Tregtia mes dy vendeve është ndërtuar në një bazë të fortë, me ndërveprime të përditshme midis bizneseve të të dyja palëve, grupe investitorësh të konsoliduar dhe një interes të vazhdueshëm për projekte të reja.
AIDA-SIMEST: Një instrument i ri për rritjen e investimeve italiane
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis AIDA dhe SIMEST vjen në një moment ku të dyja ekonomitë po kërkojnë të rrisin shkëmbimet dhe të thellojnë integrimin ekonomik. Dokumenti përcakton disa objektiva kyç:
Promovimin e përbashkët të Shqipërisë si një destinacion i favorshëm për investime italiane në sektorë si energjia, turizmi, bujqësia, prodhimi dhe teknologjia.
Lehtësimin e bashkëpunimit mes bizneseve, përmes organizimit të misioneve ekonomike, forumeve dhe eventeve të dedikuara për investitorët.
Shkëmbimin e informacionit ekonomik dhe tregtar, për të krijuar një bazë më të mirë vendimmarrjeje për investimet e huaja direkte.
Identifikimin e projekteve të përbashkëta strategjike, që mund të mbështeten nga instrumentet financiare të SIMEST dhe strukturat mbështetëse të AIDA-s.
Brenda vitit 2026, palët parashikojnë organizimin në Itali të një Forumi të madh Ekonomik Shqipëri–Itali, që do të shërbejë si platformë për lidhjen e sipërmarrjeve, prezantimin e projekteve të investimit dhe zgjerimin e partneriteteve të biznesit.
Përmes këtij Memorandumi, AIDA forcon rolin e saj si urëlidhëse mes investitorëve italianë dhe ekonomisë shqiptare./ekofin.al
