Zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha sot se “shërbimet ndaj qytetarëve janë kryefjalë e buxhetit 2022. Mandati i tretë më shumë se një mandat politik është një mandat i shërbimit për qytetarët dhe sipërmarrjen, për shërbime transparente të shpejta e cilësore”.
Në fjalën e tij në kuvend, ku po diskutohet buxheti 2022 Ahmetaj tha se “pagat janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit për kategori apo për të gjithë që nga 40% që u rritën për mjekët e infermierët dhe në vazhdim 6% dhe 30% deri në fund të mandatit”.
Sipas tij tij edhe investimet e reformat do të vazhdojnë.
Zv.kryeministri Ahmetaj u shpreh se “shërbimet publike po përmirësohen dhe 94% prej tyre janë online. Sigurisht që ka vend për t’u përmirësuar pa fund”.
“Financat publike po stabilizohen. Nëse doni t’i referoheni FMN, çfarë ndodhi me pandeminë dhe tërmetin, gjëma, nuk ndodhi vetëm këtu, por gjëma na ndodhi dhe u detyruam të shkojmë në 80% borxh. Në kohë si këto, ata që i njohin financat publike, që kanë lexuar e do lexojnë gjëja e parë në këto raste është zgjerimi se nuk do i lësh njerëzit e investimet copë-copë”, tha Ahmetaj.
Zv/kryeministri Ahmetaj u shpreh se “po ringrihemi shpejt mund të ngriheshim dhe më shpejt, jemi te parët në rajon, duhet të jemi më të shpejtë, mund ta diskutojmë”.
Për Ahmetajn, “buxheti i 2022 është buxheti më i mirë i 30 viteve, ia arritëm të mos ulim investimet publike në kohë pandemie dhe ia arritëm mbi të gjitha të kemi paketa të reja sociale”.
“Po 15 mijë familje të ndihmës ekonomike që do të marrin 3-fishin e ndihmës, janë familje me 3 fëmijë. Patjetër ka nevojë për më shumë”, shtoi Ahmetaj.
Duke folur për disa statistika, Ahmetaj tha se “a është rritur eksporti? Po eksportet janë rritur me 130%, janë njësi ekonomike të Shqipërisë që çojnë mall jashtë dhe marrin monedhë të huaj. Transporti është ulur volumi në 9 mujorin në 18.8%. Në bujqësi ka shkuar 7.1 miliardë mbështetja dhe 12 miliardë mbështetja me gjithë pjesën indirekte të saj. Po heqim 1.7 miliardë, të cilat nuk shkuan aty ku duheshin. Në turizëm kapëm nivelin e para pandemisë falë gjithë politikës që ndoqëm.Eksportet bujqësore në krahasim me 2013 arritën 323% në vlerë dhe 320% në volum. Kredia për sektorin privat u rrit 8.9% do e kalojë 10% do të shkojë tek 12%, aty ku duhet”.
“Pa reforma nuk rritet një vend. Niveli i kredive të këqija ka zbritur në 6.5%. Kursimet në gusht janë rritur 250 mln $. Kur flasim për çmimet, patjetër që ka luhatje çmimesh dhe në tregun ndërkombëtar, ama në shportën e qytetarit inflacioni ka shkuar deri në 2% në mesatare. Pensionet, janë 2.6 milion dollarë indeksimi dhe 3.5 milion dollarë është paketa e fundvitit, që janë rreth 60 milion dollarë. E dini sa e kemi të gjithë shumën e fondit të pensioneve pa subvencionet, 1.2 miliardë dollarë. Që do të thotë e rrisim pensionin vitin tjetër 5%”, tha Ahmetaj.