Zv/kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2022 ka kryefjalë paketën sociale për mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë.
Gjatë diskutimit nen për ne të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2022 në seancë plenare, Ahmetaj deklaroi se ekonomia shqiptare po rritet me shpejtësi, dhe sipas tij, arsyeja është kujdesi i qeverisë dhe ajo vibrancë ekonomike që kanë aktorët ekonomik që reflektohet në rritje të eksporteve, importeve dhe konsumit.
Ahemtaj theksoi se, një nga arsyet e rritjes ekonomike është konsumi i popullatës, i cili është rritur në rekord.
“Buxheti ka disa kryefjalë, e para është paketa sociale e mbështetjes së familjes dhe qytetarëve në nevojë. Debati mund të bëhet sërish a është majftueshëm, apo jo në një moment kaq të vështirë si ai që kaloi Shqipëria, por duhet patur parasysh fakti se duke nisur nga viti që vjen borxhin duhet ta ulim. Sot përmes këtij p/buxheti dyfishohet ndihma ekonomike për familjet që kanë 3 fëmijë e më shumë, nën 18 vjeç. Po ashtu, rritet pagesa e papunësisë. Brenda paketës sociale ka disa elementë që kanë të bëjnë me fëmijët dhe rininë”, deklaroi Zv/kryeministri.
Ministri theksoi se, një tjetër tregues që flet për një përmirësim të situatës ekonomike është edhe rritja e kredisë.
“Situata ekonomike është shpresëdhënëse. Shumë mund ti referohen kredisë. Kredia për herë të parë po rigjallërohet. Importi i makinerive e pajisjeve po rritet dhe vit për vit po shkon gati me 10 % rritje. Do të thotë se importi i makinerive dhe pajisjeve është vlerë e shtuar dhe se aktorët ekonomik kanë besim te ekonomia shqiptare, sepse shkojnë marrin kredi. Kanë besim te aktorët kryesorë ekonomik ku përfshihet mazhoranca”, tha ai.
Sipas tij, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kursimet, sepse janë rritur të ardhurat e disponueshme
Ahmetaj bëri të ditur se pjesa tjetër e shpenzimeve të p/buxhetit është infrastruktura kritike.
“Blloku kryesor janë investimet publike. Do të investohet për tunelin e Llogorasë që lidh dy pjesë të Shqipërisë. Do të vijohet me Unazën e Madhe të Tiranës dhe përgjatë katër viteve në vijim do të investohet çdo vit rreth 45 milionë dollarë”, tha Ahmetaj.
Ministri u ndal edhe te niveli i borxhit publik në vend. Sipas tij, borxhi publik ka arritur në rreth 80%.
“Borxhi 80 % është i lartë. U zgjerua si në 100 vende e kusur. Edhe Gjermania e ka çuar në 80 %. Rritja e borxhit publik të Shqipërisë ishte konseguence e rënies ekonomike, pandemisë dhe tërmetit”, deklaroi ai.
Më tej, Ahmetaj u ndal te Programi i Rindërtimi, ku bëri të ditur se deri në shtator të vitit që vjen nuk do të ketë më asnjë shenjë të tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Sipas tij, rindërtimi është një nga motorët kryesor të furnizimit të rritje ekonomike.
Nga ana tjetër Ahmetaj e ka cilësuar si një sukses të qeverisë emetimin e Eurobondit 10-vjeçar prej 650 milionë eurosh me një normë interesi 3.75%.
“Testi kaloi me sukses. Shqipëria serish shënoi rekord në daljen e një instrumenti afatgjatë”, tha ai.