Infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme (IST), përfshirë sifilizin dhe gonorrenë, po arrijnë nivele rekord në të gjithë Europën, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Qëndra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
“Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë në rritje prej 10 vitesh dhe arritën nivelet më të larta rekord në vitin 2024”, tha Bruno Ciancio, drejtues i njësisë për sëmundjet e transmetueshme drejtpërdrejt dhe ato të parandalueshme me vaksina në ECDC.
“Nëse nuk trajtohen, këto infeksione mund të shkaktojnë komplikime serioze, si dhimbje kronike dhe infertilitet, dhe në rastin e sifilizit, probleme me zemrën ose sistemin nervor”.
Të dhënat më të fundit nga viti 2024 tregojnë se rastet e raportuara të gonorresë dhe sifilizit, së bashku me sifilizin kongjenital, kanë arritur nivelet më të larta në më shumë se një dekadë, duke reflektuar përhapje të vazhdueshme në disa vende.
Rastet e gonorresë arritën në 106,331, një rritje prej 303% që nga viti 2015, ndërsa rastet e sifilizit u dyfishuan gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 45,577 raste. Klamidia mbetet IST-ja më e raportuar, me 213,443 raste, sipas raportit.
Rritje e fortë e gonorresë
Shkalla e raportimit të gonorresë në vitin 2024 është më e larta e regjistruar që kur ECDC nisi mbikëqyrjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme në vitin 2009.
Gonorrea është një IST e shkaktuar nga bakteri Neisseria gonorrhoeae. Shumë infeksione janë pa simptoma, sidomos te gratë, gjë që mund të çojë në diagnozë të vonuar, komplikime dhe përhapje të vazhdueshme të infeksionit.
Midis viteve 2023 dhe 2024, normat totale u rritën me 4.3%. Tek meshkujt pati një rritje prej 7.9%, me normat më të larta tek ata të moshës 25–34 vjeç. Më shumë se gjysma e rasteve në vitin 2024 ishin tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.
Tek gratë, megjithatë, normat totale ranë me 8.6%. Rastet më të raportuara ishin në grupmoshën 20–24 vjeç.
“Ndërsa një pjesë e këtyre rasteve mund të lidhen me rritjen e ndërgjegjësimit dhe testimit, nivelet e larta të gonorresë tek gratë në moshë riprodhuese janë shqetësuese për shkak të rrezikut të komplikimeve në traktin riprodhues”, paralajmëroi ECDC.
Rritje “shqetësuese” e sifilizit kongjenital
ECDC zbuloi një rritje të madhe të sifilizit kongjenital, me numrin e rasteve që arriti nivelin më të lartë që nga viti 2009 dhe pothuajse u dyfishua krahasuar me vitin 2023.
Sifilizi kongjenital është një infeksion që ndodh kur sifilizi transmetohet nga një person shtatzënë i infektuar tek fetusi gjatë shtatzënisë.
ECDC thekson se transmetimi mund të ndodhë në çdo fazë të infeksionit dhe në çdo fazë të shtatzënisë; megjithatë, rreziku është më i madh tek gratë shtatzëna me sifiliz të hershëm të patrajtuar.
Midis viteve 2015 dhe 2024, Bullgaria raportoi numrin më të lartë të rasteve (195), e ndjekur nga Portugalia (96) dhe Hungaria (91).
“Sifilizi kongjenital është një gjendje e parandalueshme dhe eliminimi i tij në të gjithë BE/EEA është i arritshëm”, thuhet në raport.
World Health Organization Europa ka vendosur objektivin për eliminimin deri në vitin 2030, me më pak se një rast për 100,000 lindje të gjalla.
Raporti rekomandon forcimin e parandalimit tek popullatat heteroseksuale, rritjen e programeve të depistimit dhe marrjen në konsideratë të ritestimit universal në tremujorin e tretë të shtatzënisë.
Pse po rriten IST-të?
Arsyet e mundshme pas niveleve të larta tek burrat dhe gratë heteroseksualë në vitet e fundit përfshijnë ndryshime në sjelljen seksuale, me rrezik më të lartë për transmetimin e IST-ve.
“Përdorimi i prezervativëve është bërë gjithnjë e më i rrallë; ato përdoren gjithnjë e më pak”, tha Josep Mallolas, drejtues i njësisë HIV/AIDS në Hospital Clínic Barcelona, i cili nuk mori pjesë në raport.
“Së dyti, është rritur numri i partnerëve seksualë, jo domosdoshmërisht numri i marrëdhënieve seksuale, dhe kjo vihet re veçanërisht tek popullatat më të reja, që nga puberteti, adoleshenca dhe deri tek personat në të njëzetat”, shtoi ai.
Megjithatë, nuk është gjithçka negative. ECDC theksoi se rritja e depistimit dhe testimit, si dhe përmirësimi i sistemeve të raportimit, mund të kontribuojnë pjesërisht në numrat më të lartë.
Raporti zbuloi se, si përgjigje ndaj rritjes së fundit të rasteve, disa vende kanë ndryshuar politikat e testimit dhe kanë përmirësuar qasjen në testime falas dhe vetë-marrje mostrash.
Megjithatë, ECDC paralajmëron se nevojiten më shumë të dhëna për të kuptuar më mirë tendencat në vende dhe grupe të ndryshme të popullsisë. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
