Transporti ajror vijon të regjistrojë rritje të fortë në Shqipëri, duke konfirmuar zgjerimin e lëvizjes së pasagjerëve gjatë sezonit turistik veror. Në tremujorin e tretë të vitit 2026, përmes linjave ajrore kanë udhëtuar 4,799,773 pasagjerë, nga 3,892,761 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 23.3%.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës korrik-shtator janë regjistruar mbi 907 mijë pasagjerë më shumë se një vit më parë. Kjo rritje dëshmon zgjerimin e ndjeshëm të aktivitetit të transportit ajror, në një periudhë që përkon edhe me kulmin e sezonit turistik.
Rritja e numrit të pasagjerëve është shoqëruar edhe me zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore. Gjatë tremujorit të tretë kanë operuar 35 shoqëri ajrore të huaja, nga 31 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Numri i fluturimeve arriti në 28,060, nga 22,938 një vit më parë, duke regjistruar një rritje prej rreth 22.3%.
Ndërkohë, në hapësirën ajrore shqiptare janë regjistruar gjithsej 153,664 fluturime dhe mbikalime, nga të cilat 125,604, ose 81.7%, ishin mbikalime të avionëve që nuk kishin si destinacion aeroportet shqiptare.
Edhe transporti ajror i mallrave ka shënuar rritje. Volumi i mallrave dhe postës së transportuar arriti në 732 tonë, 2.5% më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2025. Nga ky volum, 76.2% përbëhej nga mallra të hyra dhe 23.8% nga mallra të dala.
Sa i përket tregtisë së jashtme, volumi i mallrave të importuara dhe eksportuara përmes transportit ajror arriti në 628 tonë, duke u rritur me 8% krahasuar me një vit më parë.
Ndryshe nga transporti ajror, transporti detar i pasagjerëve ka regjistruar një rënie gjatë tremujorit të tretë.
Në portet shqiptare kanë udhëtuar gjithsej 955,988 pasagjerë, nga 1,010,888 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 5.4%, ose afro 55 mijë pasagjerë më pak.
Porti i Sarandës ka mbajtur peshën më të madhe të transportit detar të pasagjerëve, me 462,658 udhëtarë, ose 48.4% të totalit. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, kur numëroheshin 497,285 pasagjerë, lëvizja në këtë port ka rënë me rreth 7%.
Në vendin e dytë renditet Porti i Durrësit, me 407,501 pasagjerë, ose 42.6% të totalit, ndërsa Porti i Vlorës ka regjistruar 85,829 pasagjerë, duke përfaqësuar 9% të lëvizjes detare të udhëtarëve.
Rënia më e fortë në përqindje është regjistruar në Vlorë, ku numri i pasagjerëve është tkurrur me rreth 14.7% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.
Ndërsa transporti detar i pasagjerëve ka shënuar rënie, situata paraqitet ndryshe për mallrat. Gjatë tremujorit të tretë, në portet shqiptare janë transportuar rreth 2.44 milionë tonë mallra, nga 2.25 milionë tonë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej rreth 8.8%.
Porti i Durrësit vijon të dominojë aktivitetin tregtar detar, duke përqendruar 95.8% të volumit të përgjithshëm të mallrave. Në këtë port janë transportuar 2.34 milionë tonë mallra, 9.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në strukturën e mallrave të transportuara përmes porteve, peshën më të madhe e zënë koksi dhe produktet e rafinuara të naftës, me 17.5%, të ndjekura nga metalet bazë dhe produktet metalike me 15.6%, si dhe produktet e tjera minerale jometalike me 12.5%.
Ndërkohë, transporti hekurudhor vijon të paraqesë një situatë dukshëm më problematike.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë arriti në vetëm 85.9 mijë tonë, duke shënuar një rënie të fortë prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe treguesi i transportit të mallrave i matur në ton-kilometër ka shënuar tkurrje. Ai zbriti në 2.98 milionë ton-kilometër, nga 4.87 milionë ton-kilometër një vit më parë, ose 38.7% më pak.
Aktualisht, gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri është vetëm 253 kilometra, e shpërndarë në linjat Kufi-Gjorm, Durrës-Elbasan, Rrogozhinë-Fier dhe Fier-Vlorë.
Pothuajse i gjithë transporti hekurudhor i mallrave përqendrohet në një kategori të vetme. Qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përfaqësojnë 98.3% të volumit të përgjithshëm, ndërsa lëndët e para të ricikluara dhe mbetjet zënë vetëm 1.7%. /ekofin.al
