Afrikanojugorja Navanethem “Navi” Pillay është fituesja e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2026. Vendimi u bë publik këtë të premte në Oslo të Norvegjisë nga Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Pillay u përzgjodh në një vit kur për çmimin ishin propozuar 287 kandidatë, nga të cilët pak më shumë se një e katërta ishin organizata. Sipas ekspertëve, në vendimmarrjen e tij komiteti zakonisht i kushton vëmendje qëndrueshmërisë së paqes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe punës së institucioneve që mbështesin këto synime.
Çmimi i këtij viti shoqërohet me një shpërblim prej 12 milionë koronash suedeze, ose rreth 1,2 milionë dollarësh. Kjo shumë është e njëjtë, pavarësisht nëse çmimi i jepet një individi, ndahet mes disa laureatëve apo fitohet nga një organizatë.
Në vitin 2025, Nobeli i Paqes iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado, për përpjekjet e saj për një tranzicion demokratik në Venezuelë. Më pas, ajo ia dorëzoi medaljen presidentit amerikan Donald Trump, pas largimit nga pushteti të Nicolás Maduros nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Komiteti i Nobelit ka sqaruar se vetë vlerësimi nuk mund të transferohet: dorëzimi i medaljes nuk ndryshon identitetin e fituesit.
Shpallja e Pillay pason njoftimin e fituesve të Nobelit për Mjekësinë, Fizikën, Kiminë dhe Letërsinë gjatë kësaj jave. Në letërsi, çmimi iu dha të enjten poetes, eseistes dhe përkthyeses kanadeze Anne Carson, për veprat që ndërthurin traditën klasike me krijimtarinë bashkëkohore dhe kapërcejnë kufijtë mes poezisë dhe prozës.
Viti 2026 shënon 125-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqen, i dhënë për herë të parë në vitin 1901. Në historinë e tij, çmimi ka nderuar individë dhe institucione, ndërsa Kryqi i Kuq e ka fituar tri herë dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dy herë.
