Operatorët ekonomikë që marrin pjesë në procedurat tenderuese, tashmë do të kenë një afat të ri në dispozicion për të paraqitur ankesën e tyre ndaj vendimeve të autoritetit apo entit kontraktor.
Sipas vendimit të ri të Qeverisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 155/2024, çdo subjekt mund t’i drejtohet me ankesë Komisionit të Prokurimit Publik brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit nga autoriteti shtetëror për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar dhe brenda 10 ditëve për procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar, nga 5 ditë që ishte afati i mëparshëm.
Gjatë vitit 2023 u regjistruan 866 ankesa të paraqitura nga 291 operatorë ekonomikë, drejtuar ndaj 205 autoriteteve kontraktore. Përveç ankimit ndaj vlerësimit të fituesve të tenderave publikë, një numër i madh ankesash përfshin kriteret e tenderit, pa përjashtuar edhe ankesat për diskriminim të disa subjekteve pjesëmarrës.
Tenderat vlerësohen si një nga mjetet kryesore me risk të lartë për korrupsion. Një pjesë e mirë e zyrtarëve të lartë shtetërore kanë përfunduar në dyert e SPAK, pikërisht për abuzime apo parregullsi me tenderat. Qeveria ka premtuar se do të ndërmarrë ndryshime në ligjin për prokurimin publik, por ato ende nuk janë realizuar.
