Shqipëria vazhdon të jetë e para në Evropë për rritjen e trafikut të udhëtarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Dhe ia ka dalë të kryesojë edhe në muajin e konsideruar si piku i fluturimeve, muaji gusht.
Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), për muajin gusht 2024, numri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u rrit me afro 193% krahasuar me periudhën e parapandemisë (gusht 2019).
Kjo mbetet rritja më e fortë jo vetëm brenda vendeve të BE-së, por në të gjithë Evropën, duke u krahasuar me periudhën e parapandemisë. Gjithashtu, Aeroporti i Rinasit vijon të performojë shumë mirë, edhe sa i përket rritjes së numrit të pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar shifrave të publikuara më herët nga TIA, në gusht 2024, u thye një tjetër rekord sa i përket numrit të pasagjerëve që kishin përdorur aeroportin brenda një muaji të vetëm. 1,245,279 pasagjerë përdorën aeroportin në gusht 2024, ose 40% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur numri i pasagjerëve ishte 886,368.
Për periudhën janar-gusht 2024, numri i pasagjerëve që kanë përdorur Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës arriti në 7,215,216, ose 56% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shifrat tregojnë se numri i pasagjerëve që kanë përdorur aeroportin kanë ardhur në trend rritës nga viti në vit, duke nisur nga 2020 e në vazhdim, por 2024 projektohet të jetë një vit rekordesh.
Kjo edhe për shkak se shifra totale e vitit 2023 prej 7,257,574 pasagjerësh thuajse u arrit që në fund të muajit gusht. Referuar të dhënave të fundit nga TIA, deri në 19 shtator 2024, numri i pasagjerëve që kanë fluturuar përmes aeroportit i ka kaluar 8 milionë. Objektivi i drejtuesve të Kastrati Group, kompanisë që ka në administrim TIA është për të tejkaluar shifrën ambicioze të 10 milionë pasagjerëve gjatë këtij viti.
Sipas raportit të publikuar nga ACI, aeroportet e Evropës shënuan një rritje të trafikut të pasagjerëve me 5.6% më shumë në gusht 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rezultati tregon se numri i pasagjerëve në total të të gjitha aeroportet evropiane është 2.3% më i lartë sesa periudha e parapandemisë në gusht 2019. Në total, aeroportet evropiane mikpritën mbi 250 milionë pasagjerë në muajin më të ngarkuar të fluturimeve, në gusht 2024. /ekofin.al
