Vlora International Airport (VIA), një nga projektet më të mëdha strategjike në sektorin e aviacionit civil në Shqipëri, vijon procesin e rekrutimit të stafit në prag të përgatitjeve për operim. Së fundmi, aeroporti ka shpallur pozicionin vakant të Menaxherit të Sigurisë, një rol kyç për ndërtimin dhe menaxhimin e Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë (Safety Management System – SMS), në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të aviacionit.
Sipas njoftimit zyrtar, Safety Manager do të jetë përgjegjës për hartimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të sigurisë së aeroportit, duke siguruar përputhshmëri me kërkesat e autoriteteve rregullatore dhe standardeve ndërkombëtare si ICAO dhe EASA. Pozicioni përfshin gjithashtu identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve operative, koordinimin e hetimeve për incidentet, monitorimin e indikatorëve të performancës së sigurisë dhe zhvillimin e politikave dhe procedurave të sigurisë për aeroportin.
Megjithatë, pavarësisht se procesi i rekrutimit të stafit po vijon, ende nuk ka një afat të qartë se kur Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të nisë operimet komerciale. Projekti ka pasur disa vonesa gjatë fazës së ndërtimit dhe përgatitjeve për funksionim.
Një fluturim testues u realizua më 8 maj 2025, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, duke sinjalizuar se infrastruktura aeroportuale po afrohej drejt përfundimit. Megjithatë, që prej asaj kohe nuk është dhënë një datë zyrtare për nisjen e fluturimeve të rregullta.
Situata është komplikuar edhe nga konflikti mes aksionarëve të kompanisë koncesionare. Biznesmeni Behgjet Pacolli, i cili zotëron pjesën më të madhe të aksioneve, është përfshirë në një përplasje me ortakun në pakicë Valon Ademi, që zotëron 2% të aksioneve.
Ky konflikt ka sjellë vonesa të ndjeshme në procesin e vendimmarrjes dhe në ecurinë e projektit, duke krijuar edhe paqartësi për organizimin e brendshëm të kompanisë dhe menaxhimin e stafit.
Para disa ditësh, Gjykata e Apelit vendosi të pezullojë vendimmarrjen e ortakut në shumicë, Behgjet Pacolli. Si pasojë e këtij vendimi, aktualisht aeroporti po drejthet nga administratori i vendosur nga ortaku në pakicë, Valon Ademi.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror në jug të vendit. Ai pritet të shërbejë si një portë e re hyrëse për turistët drejt rivierës shqiptare dhe destinacioneve turistike në jug, duke rritur konkurrencën me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe duke diversifikuar ofertën e aviacionit civil në vend.
Megjithatë, përpara se të nisë operimet, aeroporti duhet të përfundojë procesin e certifikimit, rekrutimit të stafit dhe zgjidhjen e çështjeve të brendshme korporative që aktualisht po ndikojnë në ecurinë e projektit. /ekofin.al
